Lajmet e fundit

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt manifestimi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë

, 15.09.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

"Dita e dyerve të hapura të Kuvendit të Kosovës", u hap në mënyrë simbolike që nga ora 10:00 e zgjati deri në orën 16:00. Me këtë rast qytetarë dhe nxënës të shkollave të mesme nga Prizreni, Gjakova, Peja, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Prishtina dhe komuna tjera të Kosovës, në mënyrë të organizuar vizituan Kuvendin e Kosovës.

Këtë manifestim, që nisi nga Këndi për media i Kuvendit, me fjalë rasti e hapën Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi dhe drejtori i NDI-së për Evropë, z. Rob Benjamin.

Duke iu drejtuar të pranishmëve kryekuvendari Krasniqi tha se është kënaqësi që për herë të dytë pikërisht këtu, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të hapë solemnisht kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Ai theksoi se kjo ditë lidhet me Deklaratën e Përgjithshme për Demokraci, të Unionit Ndërparlamentar, miratuar më 16 Shtator 1997 në Kajro dhe me Rezolutën për Demokraci, të miratuar dhjetë vjet më vonë, më 13 Dhjetor 2007, nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

"Sot, rreth dy të tretat e vendeve të botës kanë ndërtuar sisteme demokratike të qeverisjes. Edhe Kosova si shtet demokratik,i bashkohet këtyre vendeve në kremtimin e kësaj dite. Festimi i kësaj dite në Kosovë, na tregon se kjo ditë është një rast i mirë t'u flasim fëmijëve tanë për vlerat demokratike të shoqërisë sonë, tha kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim Krasniqi tha se vitet e fundit Kosova ka shënuar progres në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut , të drejtat e minoriteteve, zbatimin e parimeve të demokracisë parlamentare, ndërtimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut. "Megjithatë, funksionimi dhe avancimi i demokracisë është i pamundshëm pa pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, në zgjedhjen përfaqësues të dëshmuar me veprimet e tyre dhe në kultivimin e frymës së tolerancës, solidaritetit dhe mirëkuptimit. Andaj, të gjithë bashkë duhet të marrim përgjegjësinë për avancimin dhe funksionimin e demokracisë në vend", tha Krasniqi.

Më tej ai shtoi se Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend, i vetmi i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, ka arritur të promovojë demokracinë dhe kulturën parlamentare, për të mundësuar përfaqësimin e interesave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend. "Demokracia është realizimi i lirisë për të gjithë!.", tha mes tjerash Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi duke falënderuar të gjithë ata që ndihmuan organizimin e kësaj kremte, Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) për mbështetjen e vazhdueshme për Kuvendin, Agjensionin Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).


Kosova duket shumë e sigurt në të ardhmen e saj


Rob Benjamin, drejtor i NDI-së për Evropë, theksoi se NDI ka qenë me fat që të bashkëpunojë me mijëra kosovarë nga të gjitha pjesët e vendit dhe nga të gjitha komunitetet. "Ne kemi ndihmuar grupe civile në përkrahjen e çështjeve të reformave, kemi punuar me partitë politike për të trajnuar aktivistë që të përgatisin zgjedhje dhe ta hapin politikën për më shumë njerëz. Dhe këtu në Kuvendin e Kosovës, ne jemi duke e mbështetur dhe forcuar procesin e legjislacionit në mënyrë që Kuvendi të përmbushë mandatin e tij kushtetues. Përurimi i sotëm i Qendrës për media, është një shembull i këtij partneriteti. Ajo do të shërbejë si ndihmë për mediat në informimin e qytetarëve, për punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Ajo që është arritur në Kosovë që nga viti 1999 është shumë impresive. Qytetarët e këtushëm kanë një sens në rritje për atë se çfarë demokracie duan të ndërtojnë", theksoi Rob Benjamin.

Në mënyrë që të jenë efektive, të gjitha demokracitë zhvillohen në shtëpi dhe për këtë arsye ato janë të veçanta. Kosova do ta ketë sistemin e saj unik të demokracisë. Por, në të njëjtën kohë, të gjitha demokracitë, përfshirë edhe Kosovën, janë të ndërtuara rreth vlerave esenciale, siç janë: pjesëmarrja e qytetarëve, përfaqësimi politik, trajtimi i drejtë dhe korrekt para ligjit, transparenca e qeverisë dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve.

Kosovarët kanë arritur shumë dhe ata e pranojnë se ka edhe shumë për të bërë. Më shumë njerëz duhet të marrin pjesë në politikë dhe atë në më shumë mënyra, më shpesh dhe duke ofruar më shumë ide për atë se çka duhet të bëhet, nga institucionet politike, nga Qeveria deri te Kuvendi , ndërsa edhe partitë politike duhet ta hapin veten për ta lejuar këtë pjesëmarrje.

Ndërtimi i demokracisë theksoi Rob Benjamin, është kompleks dhe shpesh shumë i vështirë dhe në fakt kurrë nuk përfundon, sepse për të siguruar sundimin e demokracisë, sistemi politik duhet të ndryshojë vazhdimisht, paralelisht më evoluimin natyral të shoqërisë, theksoi Rob Benjamin.
"Nga pikëvështrimi i NDI-së, Kosova duket shumë e sigurt në të ardhmen e saj, duke marrë përgjegjësi për të kaluarën. Pra, duke vazhduar përpara, sot dhe çdo ditë, NDI do të jetë aty, për t'iu mbështetur gjithmonë, duke e respektuar demokracinë tuaj të veçantë",tha Rob Benjamin.

Me këtë rast u bë edhe hapja zyrtare e "Këndit për Media". Në fakt NDI dhuroi një donacion të përbërë nga pajisje audio dhe video për Këndin për Media të Kuvendit.

Në kuadër të këtij manifestimi u hap edhe "Panairi i OJQ-ve".

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt manifestimi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë