Lajmet e fundit

Nga takimi i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës me kryetarë të komunave

, 23.09.2011




Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, zhvilloi sot një takim konsultativ me kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët u informuan për ecurinë e procesit të amandamentimit të Kushtetutës dhe planet për organizimin e konsultimeve publike me qytetarë. Kryetarët e komunave u pritën nga Kryetari i Komisionit, Arsim Bajrami dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni: Hydajet Hyseni, Suzan Novoberdaliu, Afrim Kasolli, Sasha Milosavjeviq dhe Rasim Demiri.

Kryetari i Komisionit i njoftoi të pranishmit se në bashkëpunim me koalicionin e OJQ-ve "Demokracia në Veprim", do të organizohen konsultime publike në 11 qytete të vendit, duke përfshirë edhe komunat me shumicë serbe dhe turke. Mirëpo, Bajrami tha se edhe qytetarët e komunave të tjera janë të mirëseardhur që të bëhen pjesë e këtyre konsultimeve. Gjithashtu, gjatë takimit u theksua se konsultimeve publike do t'i paraprijë një fushatë senzibilizuese që do të zhvillohet në nivel qendror dhe lokal.

"Informimi dhe përfshirja aktive e qytetarëve në procesin e amandamentimit të Kushtetutës është e rëndësisë së veçantë për komisionin. Andaj, sot kërkuam nga kryetarët e Komunave që të na ndihmojnë në organizimin e konsultimeve publike, për të siguruar kështu pjesëmarrjen e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e debateve", theksoi Bajrami.

Ndërkaq, kryetarët e komunave mirëpritën këtë takim dhe shprehën gatishmërinë për të vënë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme për organizimin e konsultimeve publike. Ata njoftuan komisionin se tashmë kanë filluar që t'i informojnë qytetarët për kohën e mbajtjes së debateve dhe për kontributin që ata mund ta japin në këtë proces.

 

Nga takimi i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës me kryetarë të komunave