Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 23.09.2011
Në vazhdim të mbledhjes së Kuvendit ( e filluar dje) , të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, sot u shqyrtuan një rekomandim, si dhe dy propozim -vendime të Qeverisë së Kosovës. Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsionit para deputetëve e prezantoi Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion. Ai tha se Komisioni ka testuar kandidatët sipas konkursit dhe i propozon Kuvendit dy kandidatë, nga të cilët zgjedhet një me votim. Pas votimit me shumicë votash drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit u zgjodh Hasan Preteni, me mandat pesëvjeçar.
Në vijim, Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, paraqiti Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Kuvendi me shumicë votash anëtar të këtij bordi zgjodhi Enver Halimin, me mandat pesëvjeçar.
Ecurinë e shqyrtimit të Propozim- vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishikimin e Ankesave e prezantoi Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ajo tha se Komisioni ka konstatuar se kandidatët e propozuar për këtë Bord i plotësojnë kushtet. Bordi ka 16 anëtarë , ndërsa gjysma e anëtarëve zëvendësohen për çdo vit kalendarik. Ne emër të Grupit të LDK-së, Hykmete Bajrami kundërshtoi këtë Propozim- vendim të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se deputetët e këtij grupi parlamentar nuk do t' i votojnë kandidatët e propozuar për këtë Bord. U procedua me votim, në bazë të të cilit kryesues i Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave u zgjodh Skënder Kolgeci, ndërsa anëtarë: Faruk Prebeza, Loreta Peci, Agron Kajtazi,Shukri Hoxha, Vlora Zhuzhi, Abdullah Haxhiu dhe Hyda Hajrullah Dallku.