Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
, 06.10.2011
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i parë i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan një varg projektligjesh në lexim të parë, dhe një projektligj në lexim të dytë.
Në fillim të mbledhjes, mbështetur në Rregulloren e Kuvendit e cila përcakton të drejtën e deputetëve për deklarime jashtë rendit të ditës, u ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh nga ana e deputetëve.
Në vijim, deputetët shtruan pyetje parlamentare për kabinetin qeveritar, të cilëve iu përgjigjen, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza dhe Dardan Gashi, ministër i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve. Fillimisht deputetët shqyrtuan dhe miratuan në parim Projektligjin për sistemin e adresave, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Në vijim, u shqyrtua Projektligji për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Për rëndësinë e këtij projektligji para deputetëve foli zv. kryeministri dhe ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai me këtë rast sqaroi se projektligji ka për qëllim rregullimin ligjor të dhënies së dekoratave. Tutje shtoi Kuçi, projektligji po ashtu përcakton llojin e dekoratës që mund të ndajë presidenti, dhe shtoi se, projektligji përcakton edhe kriteret që duhet plotësuar i dekoruari. Pas debatit, projektligji u përkrah unanimisht nga deputetët. Deputetët në vijim miratuan edhe Projektligjin për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, me ç'rast, për rëndësinë dhe fushën që rregullon ai, foli ministri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Po ashtu, në këtë mbledhje deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetërorë dhe Projektligjin për azilin. Të dyja projektligjet, para deputetëve i paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Në vijim të mbledhjes, deputetët në parim përkrahën edhe dy projektligje: Projektligjin për Sport, dhe Projektligjin për Policinë. Këto projektligje u paraqitën dhe u arsyetuan nga ministrat e kabinetit qeveritar, përkatësisht, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinis dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Pas shqyrtimit dhe miratimit në parim të projektligjeve të parapara për mbledhjen e sotme, deputetët shqyrtuan për herë të dytë Projektligjin për nisma legjislative. Lidhur me këtë projektligj, në emër të Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, amendamentet i paraqiti deputeti Arsim Bajrami. Më pas, deputetët shqyrtuan dhe miratuan Projektligjin për nisma legjislative.
Me propozim të grupit parlamentar të LDK-së, Kuvendi ndërpreu
punimet për të vazhduar nesër në orën 10:00.