Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në Konferencën “Ribashkimi i Gjermanisë“

, 07.10.2011




Me rastin e 21 vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka marrë pjesë sot në konferencën "Ribashkimi i Gjermanisë", të organizuar nga Kolegji "ISPE", dhe në cilësinë e panelistit ka mbajtur edhe një fjalë rasti. Panelistë të kësaj konference ishin edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Në fjalën e tij, kryetari Krasniqi theksoi rëndësinë e madhe të 3 tetorit 1990, duke vlerësuar se ribashkimi i Gjermanisë ndodhi në një periudhë ndryshimesh të vrullshme në vendet e Evropës Juglindore dhe të kampit socialisht përgjithësisht. Krasniqi theksoi se rënia e murit të Berlinit shënoi kthesë në historinë e mbarë Evropës dhe se pas ribashkimit, Gjermania vazhdoi të ishte boshti i përpjekjeve për bashkimin e Evropës. Pa Gjermaninë, shtoi kreu i Kuvendit, Evropa sot do të ishte e mangët e pakompletuar dhe ndoshta jo kaq e bashkuar.

„Bashkimi i Gjermanisë dëshmoi edhe një herë, se popujt e lirë mund të shtypen, izolohen dhe ndahen, siç ka ndodhur me shumë popuj, përfshirë edhe ne shqiptarët, por ata kurrë nuk heshtin dhe vullneti i tyre për liri dhe bashkim nuk mund të mohohet dhe as pengohet pafundësisht", theksoi Krasniqi, duke vlerësuar se populli i Kosovës e çmon dhe i është mirënjohës popullit dhe shtetit gjerman për vëmendjen dhe mbështetjen që i ka kushtuar Kosovës në momentet më të rëndësishme të historisë më të re të saj.

„Angazhimet e fundit të kancelares Merkel për zhvillimet në Kosovë, dëshmojnë edhe njëherë parimësinë dhe konsekuencën e politikës së drejtë gjermane karshi Kosovës dhe perspektivës së saj, si shtet i pavarur e sovran, me integritet të pacenuar territorial dhe me perspektivë të sigurt evropiane", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

 

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në Konferencën “Ribashkimi i Gjermanisë“