Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës

, 11.10.2011




U shqyrtuan  propozimet e  Grupit Punues Zgjedhor lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, të kryesuar nga z. Haki Demolli, kryetar i Komisionit, u shqyrtuan propozimet e  Grupit Punues lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Me këtë rast kryetarja e grupit punues, znj. Valdete Daka, paraqiti rekomandimet e këtij grupi, ndërsa pastaj filloi debati i anëtarëve të Komisionit lidhur me strukturën e KQZ-së,emërimin e anëtarëve të KQZ-së, mandatin e anëtarëve, zgjedhjen dhe mandatin e kryesuesit të KQZ-së.

Në kuadër të debatit rreth përbërjes së KQZ-së dolën dy alternativa: të mbetet përbërja e njëjtë, ndërsa alternativë e dytë  ishte në përbërje të ketë balancë të partive politike 50 me 50, pozitë-opozitë, pa u prekur elementi etnik.

Ky propozim me dy alternativa edhe u përkrah  nga Komisioni. Sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së u përkrah propozimi që subjektet politike të propozojnë anëtarët, ndërsa Kuvendi merr vendimin definitiv për emërimin e tyre. Mandati i anëtarëve të jetë i lidhur me legjislacionin 4 plus 4, ndërsa mandati fillon të llogaritet një muaj konsolidimit të Kuvendit. Përkitazi me zgjedhjen e kryesuesit të KQZ-së u përkrah propozimi që kryesuesi të zgjidhet me mandat 5 plus 5 dhe të emërohet nga presidenti i Republikës së Kosovës. Atij (asaj)  gjatë kësaj periudhe i pushon marrëdhënia e punës në gjykatë, ku kthehet pas të kryejë mandatin e kryesuesit të KQZ-së.

Këto propozime i dërgohen si rekomandime Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Mbledhja e Komisionit për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës