Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
, 14.10.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar tri projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale.
Paraprakisht, gjatë një adresimi para deputetëve, duke folur për Raportin e Progresit për Kosovën, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se kjo shënon moment kyç për të ardhmen evropiane të shtetit tonë. Sipas Thaçit, kjo e arritur dhe progresi që do të arrihet në të ardhmen paraqesin një avancim të integrimit evropian dhe njohje të punës që është duke u bërë nga Qeveria e Kosovës në këtë drejtim.
"Më lejoni të falënderoj të gjithë aktorët shoqërorë, institucionet qendrore, nivelin komunal, shoqërinë civile dhe mediat për kontributin e tyre në procesin e liberalizimit të vizave. Si kryeministër i Republikës së Kosovës jam i vendosur të vazhdoj edhe më fuqishëm përmbushjen në një afat rekord të të gjitha parakushteve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave", theksoi kryeministri Thaçi.
Duke përkrahur mendimin e kryeparlamentarit Krasniqi dhe të nënkryetarit Hamiti, për mundësinë e mbajtjes së një seance të veçantë në Kuvend për Raportin e Progresit, kryeministri Thaçi shfaqi gatishmërinë që së bashku me qeverinë të jetë pjesë e një debati të tillë, në mënyrë që, siç tha ai, të nxirren sfidat e përbashkëta që dalin për vitin e ardhshëm.
Anëtarët e kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministrat Agani, Mujota, Buja dhe Yagcilar, ndërkaq, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve.
Duke proceduar me pikat e tjera të rendit të ditës, Kuvendi iu dha 15 ditë afat komisioneve përkatëse të Kuvendit dhe Qeverisë, që të koordinohen mes vete për Projektligjin për ndihmë juridike falas dhe Kuvendit t'i paraqitet raporti me rekomandime.
Deputetët miratuan në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, Projektligjin për Agjencinë Kosovare të Forenzikës dhe atë për akcizën në produktet e duhanit, me përjashtim të amendamentit 5 të këtij të fundit.
Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e një anëtari në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, u shoqërua me debate ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës. Deputetë opozitarë duke aluduar në shkelje të ligjit, kërkuan që lista e kandidatëve t'i kthehet qeverisë, ndërsa anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të pozitës dhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti, vlerësuan se kandidaturat janë në pajtim me ligjin. Deputetët e opozitës e braktisën sallën dhe në mungesë të kuorumit kjo pikë e rendit të ditës u shty për në seancën e ardhshme.