Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 21.10.2011




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryekuvendari dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të cilës e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti, filloi më fjalën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i bëri një vështrim gjendjes më të re në veri të vendit. Ai përshëndeti veprimet e fundit të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Kosovës që bëhen në koordinim me institucionet e Republikës së Kosovës për vendosjen e plotë të rendit dhe të ligjit. Operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimi i rrugëve në veri Kosovës, theksoi z. Thaçi, është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit; për të krijuar siguri,paqe,stabilitet, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit. Në këtë frymë, ai ftoi qytetarët e pjesës veriore të vendit për qetësi dhe bashkëpunim të plotë, sepse këto angazhime janë në interes të vetë qytetarëve të asaj pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe në interes të hapjes së perspektivës zhvillimore, jetës së qetë e të sigurt , hapjes së vendeve të reja të punës dhe të investimeve të gjithanshme të institucioneve në veri. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit.

"Dëshiroj të theksoj se të gjitha angazhimet dhe përkushtimet janë të përbashkëta e të koordinuara mes Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dënojmë dhunën e ushtruar nga ana e strukturave kriminale në veri ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it", theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, në përmbyllje të diskutimit, ai theksoi:"Jemi në angazhime të përbashkëta. Përkushtimet tona do të vazhdojnë për rend,ligj dhe kushtetutshmëri në veri. Jam i bindur se do të kemi sukses".

Deputeti Shaip Muja shprehu inkurajim për Qeverinë e Kosovës në këtë proces për sundim të ligjit dhe kushtetutës edhe në këtë pjesë të vendit. Ndërkaq, në vijim ai dënoi fuqishëm dhunën e ushtruar kundër pjesëtarëve të KFOR-it, duke theksuar se dhuna është e papranueshme për të gjithë qyetetarët e kosovës.

Deputeti Anton Quni tha se angazhimi i policisë së Kosovës më 25 korrik , por tjerash pati rëndësi edhe për kredibilitet të saj, ndaj ky operacion edhe u përkrah nga të gjithë. Ndërkaq, duke folur në kontekst të luftës kundër korrupsionit, përkatësisht keqpërdorimit tw parave për blerjen e armëve për polici, ai përmendi çështjen e mungesës së pajisjeve të nevojshme për Policinë e Kosovës.

Deputeti Daut Haradinaj tha se më 25 korrik, kur ndodhi ndërhyrja e shumëpritur në veri "të gjithë menduam së strukturave paralele po iu vjen fundi, por ndodhi e kundërta. Tash gjendja atje është shumë më e keqe sesa para 25 korrikut. Ai u shpreh se gjendja e tashme në veri është dëshmi e pafuqisë së lidershipit të Kosovës. "Ne po përballemi më një grup kriminelësh që po tentojnë të sfidojnë institucionet e Kosovës dhe aleancën më të fuqishme në botë-NATO-n. Ata duhet ta dinë se populli i Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare janë më te vendosura se kurrë më parë që edhe në këtë pjesë të vendit të sundojë rendi dhe ligji", theksoi ai.

Deputeti Sasha Milosavleviq dënoi aktin e vrasjes së një pjesëtari dhe plagosjen e dy pjesëtarëve serb në fshatin Dobrush, duke kërkuar njëherësh nga organet përkatëse të merren masa përkatëse ligjore.

Në fillim të mbledhjes si rëndom deputetët shtruan edhe disa çështje jashtë rendit të ditës, ndërsa në pikën: pyetje parlamentare, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi, ministri Financave, Bedri Hamza dhe Ministri për Infrastrukturë,Fehmi Mujota.

Në vijim deputetët shqyrtuan për herë të dytë gjashtë projektligje, përkatësisht Projektligjin për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-034 për shtetësinë e Kosovës, Projektligji për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Projektligjin për partneritet publiko privat,Projektligjin për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, Projektligjin për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat e Përafërta. Të gjashtë projektligjet u miratuan nga ana e Kuvendit.

Në vijim u shqyrtuan dhe u miratuan Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, Raporti i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike,Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për transfer të mjeteve në mes të programeve buxhetore dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor për transfer të mjeteve në mes programeve buxhetore.

Në këtë mbledhje u vendos që shqyrtimi i Propozimvendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarit në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të shtyhet për një mbledhje tjetër. Pas debatit rreth këtij propozim vendimi, krye kuvendari Krasniqi përkujtoi se për shkak të mosemërimit të anëtarëve të agjencive të ndryshme po ndodh që ndonjë agjenci, ose komision, siç është Komisioni i Pavarur për Media të mos mund të veprojë.Madje, për shkak të këtij bëhet çështje edhe Bordi i RTK-së, të cilit gjithashtu do t' i mungojnë disa anëtarë që i zgjedh ky komision. Kreu i legjislativit të vendi apeloi që në këto raste së paku të respektohet ligji për emrat e propozuar. Po kështu, ai përkujtoi deputetet se për mosardhje në mbledhje dihet se parashihen sanksione, madje jo vetëm në pozicionin e mëditjeve , por edhe në atë të pagës së deputetëve. Kuvendi miratoi propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, për zëvendësimin e anëtarit të Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, përkatësisht që në vend të Ismet Beqirit, anëtar i këtij Komisioni të jetë Kimete Bytyçi.

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit