Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

, 28.10.2011




Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti sot dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim, të kryesuar nga Rexhep Selimi, nënkryetar i komisionit, në të cilin takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, EULEX-it, OSBE-së, IOM-it , si dhe të disa komunave të Kosovës.


Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit sqaruan se qëllimi i grupit të punës dhe të Komisionit për Siguri, lidhur me këtë çështje ka për qëllim identifikimin e mangësive në procedura, si dhe identifikimin e vështirësive në të cilat hasin zyrtarët për riintegrim nëpër komunat e vendit.
Në mënyrë që të përpilohet raporti për Kuvendin e Kosovës lidhur me mbikqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim, anëtari i komisionit Fatmir Xhelili kërkoi nga të pranishmit që të japin rekomandime të ndryshme gjatë këtij takimi me qëllim të evitimit të pengesave dhe të mangësive gjatë zbatimit të këtij ligji.

 

Xhelili sqaroi se pas vendimit të komisionit për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ripranim, komisioni ka hartuar një plan të veprimit në mënyrë që të shikohen instrumentet e shtetit tonë, përparësitë dhe pengesat për zbatimin e Ligjit për Ripranim.
Ai shtoi se është analizuar strategjia për ripranim dhe plani i veprimit për riintegrim dhe në bazë të aktiviteteve janë përcaktuar parametrat por edhe pyetësori për t'i vizituar mekanizmat e shtetit tonë.

"Kemi organizuar disa vizita në MPB dhe në disa segmente të kësaj ministrie. Kemi vizituar disa komuna, veçanërisht në ato komuna tek të cilat ka pasur çalime dhe përparësi në zbatimin e obligimeve për proceset e riintegrimit. Vizitat janë realizuar në Prizren, Mitrovicë , Klinë dhe Fushë Kosovë, duke u bazuar në përbërjen e përzier të popullatës etnike, si dhe në bazë të dhënave të shteteve ku qëndrojnë qytetarët tonë të cilët akoma nuk e kanë zgjedhur statusin e tyre", tha Xhelili duke shtuar se gjatë këtyre vizitave komisioni parlamentar për siguri është ndarë i kënaqur.

Anëtarët e komisionit vlerësuan se janë ndarë të kënaqur me përgatitjet, edukimin, trajnimet e zyrtarëve që merren me personat e ripranuar duke potencuar faktin se gjatë këtyre vizitave kanë hasur edhe në disa mangësi.

Gjatë këtij takimi u ngritën shumë çështje në mënyrë se si të bëhet më i zbatueshëm Ligji për Ripranim, ndërsa u theksua se MPB-ja është e angazhuar rreth koordinimit me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit.
Megjithatë, u theksua se duhet krijuar një mekanizëm monitorues për përcjelljen e qytetarëve të cilët janë kthyer, si dhe vazhdimësinë e jetesës së tyre në Kosovë.
Me këtë rast sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi tha se faza fillestare e implementimit të ligjit dhe të strategjisë është përfunduar mirë. Ai tha se kjo ministri ballafaqohet me sfida të shumta lidhur me këtë, ndërsa përmendi edhe formimin e zyreve të kësaj ministrie, veçanërisht në Aeroportin e Prishtinës.
"Kemi të bëjmë me dy kategori të të kthyerve, atyre në baza vullnetare dhe atyre me dhunë. Problemi është shumëdimensional sepse në mesin e të kthyerve kohët e fundit ka persona pa mbështetje sociale, të cilët nuk kanë vendbanime adekuate, si dhe raste me sëmundje mendore. Këto paraqesin probleme në implementimin e ligjit", tha Gashi.

Koordinimi mes ministrive ishte vërejtje tjetër e anëtarëve të komisionit për të cilën çështje sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi tha se plani i veprimit dhe përgjegjësitë adekuate për këtë janë bartur në MPB dhe kjo paraqet ngarkesë në këtë ministri, andaj siç theksoi Gashi, MPB-ja ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Më tej Gashi duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, tha se tanimë janë duke e kryer monitorimin e të kthyerve dhe lidhur me këtë kanë formuar një grup të ministrisë, të cilët janë në koordinim me zyret rajonale, në mënyrë që të përcillet gjendja e njerëzve të cilët kthehen. Dhe, kjo sipas tij po përballohet mirë.

Ai tregoi se në muajin shtator ka pasur fluks të madh të riatdhesuarve duke përmendur kështu rreth 450 sosh. Tutje sqaroi se kanë mbi 150 kërkesa për mbështetje me strehim, ushqim dhe veshmbathje , ndërsa shtoi se në procedurë janë edhe 140 kërkesa tjera. "Këtë fazë emergjente jemi duke e përballuar me sukses", tha Gashi duke potencuar faktin se problem më i theksuar mbetet çështja e të dëbuarve me dhunë, për të cilët tha se nuk kanë vullnet të adaptohen këtu.
Disa nga anëtarët e komisionit kërkuan sqarime nëse ka pasur persona të lënduar të cilët janë sjellë me dhunë në Aeroportin e Prishtinës.
Përfaqësues të EULEX-it konfirmuan se EULEX-i nuk është në dijeni sa i përket këtyre personave të riatdhesuar. "Nuk jemi në dijeni për asnjë rast që është ushtruar ndonjë torturë, megjithatë do të ishim mirënjohës nëse do të jepni detaje lidhur me ndonjë rast konkret".

Krejtësisht në fund të këtij dëgjimi publik u theksua se problemet me të cilat ballafaqohet MPB-ja janë të shumta, veçanërisht në mungesën e ekipeve mobile.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së