Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Arsimit të Shqipërisë, Tafaj

, 31.10.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, z. Myqerem Tafaj, me të cilin u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit e të shkencës, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të tij.

Ministri Myqerem Tafaj, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, e njoftoi atë për angazhimet e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në drejtim të harmonizimit të planeve dhe programeve në fushën e arsimit. Në këtë kontekst, ai foli për punën që është bërë dhe po bëhet për hartimin e Abetares unike, gjë e cila, sipas tij, shënon vetëm fillimin e punës së përbashkët. Ministri Tafaj u ndal edhe në bashkëpunimin në nivelin universitar të arsimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe, përkitazi me këtë, foli për rëndësinë që ka regjistrimi dhe ndjekja studimeve nga ana e studentëve të rajonit të brezit kufitar, Tropojës dhe rretheve të tjera të veriut të Shqipërisë, në Universitetin e Prizrenit dhe në universitetet e tjera të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi duke shprehur kënaqësinë për të arriturat në punën e përbashkët në lëmin e arsimit, ofroi mbështetjen e tij në gjithë këtë proces, me ç'rast potencoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe unifikimit, për të cilat tha se tanimë janë eliminuar pengesat e mëdha.

Kreu i Kuvendit potencoi se bashkëpunimi në arsim hap rrugë edhe për segmente të tjera dhe se shqiptarët duhet t'i shfrytëzojnë mundësitë e krijuara në këtë drejtim. Shfrytëzimi i përparësisë që kanë shqiptarët në aspektin njerëzor, sipas kryetarit Krasniqi, jep mundësi për shfrytëzimin e pasurive të tjera që ende mbesin të pashfrytëzuara.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Ramë Buja, ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Islam Lauka, si dhe zyrtarë të tjerë të të dyja vendeve.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e Arsimit të Shqipërisë, Tafaj