Lajmet e fundit
Nga takimi i Komisionit për Punë të Brendshme... me parlamentarët nga Suedia
, 02.11.2011
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë pritur sot në takim një delegacionin parlamentar nga Suedia, të kryesuar nga Jonas Gunnarsson, kryetar i PSD-së. Temë bosht e këtij takimi ishte gjendja e sigurisë në Kosovë, përfshirë problemet në veri të vendit dhe ndërhyrjet e Serbisë në atë pjesë të Kosovës, zhvillimin dhe avancimin e institucioneve të sigurisë, luftën kundër dukurive negative etj.
Kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve nga Suedia, bëri një rezyme të punës dhe të përgjegjësive të komisionit. Duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës, ai u ndal në zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, duke vënë në spikamë ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë atje, nga të cilat, sipas tij, kanë buruar shumë probleme për Kosovën, veprimtari kriminale dhe bllokuese për jetën e qytetarëve, si: krimi i organizuar, kontrabanda, barrikadat etj.
Në fokus të interesimit të parlamentarëve suedezë, në mesin e të cilëve edhe Adnan Dibrani, deputet i Parlamentit të Suedisë - shqiptar me prejardhje nga Kosova, ishte lufta kundër fenomeneve negative, si: krimi i organizuar, trafikimi i drogës e i qenieve njerëzore, bashkëpunimi i institucioneve vendore me KFOR-in e EULEX-in etj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga mysafirët, kryetari Isufi, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit, Fatmir Xhelili e Rexhep Selimi, potencuan përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar luftën kundër fenomeneve negative, me të cilat përballet jo vetëm Kosova e vendet e rajonit, por edhe ato evropiane dhe më gjerë. Sa i përket bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm më KFOR-in dhe u vlerësua roli i tij në veri të vendit, si dhe në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Të dy palët shfaqën interesimin dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, falënderuan Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme që ajo ka dhënë për Kosovën, në mënyrë të veçantë për ndihmën në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë nëpërmjet formacioneve të kuadër të KFOR-it në regjionin e Prishtinës.