Lajmet e fundit
Takimi i GGD-së me Grupin e Grave të Vushtrrisë
, 03.11.2011
Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Kosovës kishte një takim me Grupin e Grave nga Vushtrria. Në këtë takim kryetarja e GGD-së znj. Teuta Sahatçia foli për punën dhe rolin e rëndësishëm që ka GGD-ja dhe gruaja në zhvillimin e demokracisë dhe në procesin drejt integrimit në BE, procese që varen edhe nga fuqizimi i gruas në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët e shoqërisë. Znj. Sahatçia foli për angazhimet e GGD-së për të përmirësuar me ligj pozitën e gruas, shëndetin e saj, si dhe luftimin e dukurive negative që po e atakojnë gruan, si: dhuna në familje, diskriminimi, trafikimi etj. Ndërkaq, zonja Donika Kada-Bujupi foli për reformën zgjedhore , rëndësinë e zgjedhjeve të besueshme dhe demokratike, si dhe rëndësinë e aplikimit të kuotës gjinore legjislative në Ligjin zgjedhor, në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore. Kryetarja e Grupit të Grave të Vushtrrisë, znj. Gjylsime Feka, shprehu shqetësimet lidhur me moszbatimin e Ligjit për Barazinë Gjinore. Nga ky takim u rekomandua gjithashtu që të amendmentohet Ligji për Barazi Gjinore dhe të forcohet zbatimi i tij në mënyrë kualitative. Po kështu, Ligji për Partitë Politike të përfshijë kuotat gjinore obligative, të cilat duhet t' i aplikojnë në aktet normative të tyre, të rritet roli i gruas në kuvendet komunale, duke fuqizuar mekanizmat gjinor ekzistues, si: grupet e grave të komunave, Zyrën për Barazi Gjinore etj., ndërsa në politikat arsimore të përfshihet perspektiva gjinore, si dhe të investohet në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe intelektuale të grave.