Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti sekretarin shtetëror të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Wolfgang Waldner
, 09.11.2011
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me sekretarin shtetëror të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Wolfgang Waldner. Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi e njoftoi sekretarin shtetëror austriak mbi zhvillimet aktuale në vend, duke u ndalur në përbërjen e Kuvendit,gjuhët zyrtare, përfaqësimin komuniteteve pakicë etj. Duke folur për çështjen komisioneve ai tha se Kuvendi ka 13 komisione, si dhe dy komisione ad-hok:Komisionin për Amendamentimin e Kushtetutës dhe atë për Reformën Zgjedhore. Në këtë vështrim ai preku edhe çështjen e amendamenteve që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke u shprehur se 6 muaj pas që të hyjnë në fuqi dispozitat përkatëse, Kosova do të zgjedhë presidentin ri. Kreu i legjislativit të vendit e shihte të domosdoshme edhe nevojën e reformës zgjedhore.
Duke i bërë një vështrim çështjes së sigurisë në veri të vendit, kryetari i Kuvendit Krasniqi tha se kjo situatë është pasojë e mosveprimit për një kohë të institucioneve ndërkombëtare, të cilat e kishin dhe kanë për detyrë vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. Përkitazi me këtë ai e vlerësoi bashkëpunimin aktual ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe atyre të Kosovës. Ndërkaq, duke folur për çështjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ai tha:"Ne gjithnjë kemi qenë për dialog dhe vazhdojmë të qëndrojmë në këto pozita për dialogim ndërmjet dy shteteve".
Në vijim kryekuvendari Krasniqi, shprehu mirënjohje për përkrahjen e Austrisë ndaj Kosovës , në të gjitha fazat e zhvillimit të vendit. Përkitazi me çështjen e Raportit të Progresit dhe liberalizimin e vizave, z. Krasniqi tha se Kosova në këtë aspekt ka pasur çështje teknike dhe politike, por tashmë nga aspekti teknik është arritur që të fillojë prodhimi i pasaportave biometrike, ndërsa problemi tjetër qëndron në faktin që ende 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që reflekton në ngadalësimin e anëtarësimit në proceset euroatlantike.
Pasi u falënderua për pritjen, sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Wolfgang Waldner tha se Kosova përbën interes te veçantë për Austrinë. Ai e uroi kryekuvendarin Krasniqi për të arriturat në Kuvend dhe përgjithësisht në institucionet e Kosovës. Austria, tha z. Wolfgang Waldner, angazhohet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Në këtë frymë ai tha se Austria mbështet liberalizimin e vizave, i cili mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve në shtetet e BE-së.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar, kryetari Krasniqi në dhjetor të këtij viti do të qëndrojë në një vizitë zyrtarë në Vjenë, që do të jetë rast për vendosjen e një komunikimi më të drejtpërdrejtë ndërmjet dy parlamenteve.