Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

, 14.11.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka miratuar katër projektligje, dy raporte dhe një propozim.

Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve, ndërsa pas shqyrtimit të dytë, miratoi Projektligjin për hekurudhat e Kosovës, Projektligjin për tregti me jashtë, si dhe atë për marrëveshjet ndërkombëtare (me amendamente të komisioneve funksionale).

Raportet me rekomandime për të tre këto projektligje i paraqitën përfaqësuesit e komisioneve përkatëse funksionale: Zenun Pajaziti nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Infrastrukturë, ndërsa Hydajet Hyseni, në emër të Komisionit për Punë të Jashtme.

Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi Raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, të cilin e prezantoi deputetja Rita Hazeraj, ndërsa detaje dhe sqarime të tjera (së bashku me rekomandimet), dha deputetja Albana Gashi. Gjatë diskutimeve, u theksua prezenca e dhunës në familje, në veçanti ndaj gruas dhe u shtrua nevoja e ndërmarrjes së hapave dhe krijimit të mekanizmave përkatës për luftimin e këtij fenomeni. Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi raportin e propozuar.

Debatit nga ana e deputetëve iu nënshtrua edhe Raporti vjetor i auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2010, për të cilin u tha se është raport i hartuar sipas standardeve të raportimit financiar dhe se paraqet pasqyrë të qartë të shpenzimeve financiare. Raporti u prezantua nga kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadria, i cili njëherësh prezantoi disa rekomandime, dhe u miratua nga Kuvendi.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ndërkaq, prezantoi raportin me rekomandime të komisionit në lidhje me propozimin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) për uljen e taksës menaxhuese nga 0.65 në 0.60 për qind. Propozimi i TKPK-së u miratua nga deputetët e Kuvendit.

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit