Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, priti sot në një takim lamtumirës komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi

, 18.11.2011




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me kryetarët e komisioneve parlamentare, kanë pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi.

Kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, duke i dëshiruar mirëseardhje komandantit Sylejman Selimi dhe duke e falënderuar atë në emër të komisionit për punën dhe angazhimet e gjertanishme në FSK, tha se komisioni parlamentar për siguri është përpjekur që të krijojë në bazë ligjore për FSK-në, duke e përkrahur në vazhdimësi këtë institucion.

"Në emër të komisionit ju falënderojmë për gjithë punën që keni bërë deri më tani, në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transformimin e saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si dhe gjithë angazhimin tuaj të deri tanishëm, që FSK-ja në të ardhmen të jetë një ushtri, e transformuar dhe e përshtatur me standardet e NATO-s.", tha kryetari i komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, duke i dëshiruar suksese edhe në angazhimet e tij të reja.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, tha se gjatë javës së ardhshme do të bëhet ceremonia e dorëzimit të detyrës së tij në këtë institucion, ndërsa falënderoi për bashkëpunimin anëtarët e komisionit parlamentar për siguri, në të cilin komision dorëzoi raportin përfundimtar të FSK-së.

"Ka qenë nder për mua që t'i shërbej këtij vendi që nga lufta e UÇK-së, pastaj në TMK dhe në FSK.

Ka pasur mundësi që FSK-ja të jetë edhe më profesionale, por kjo ka ndodhur shkak të limiteve buxhetore", tha komandant Selimi duke shtuar se FSK-ja vitin e ardhshëm do të jetë forcë edhe më e suksesshme.

Duke falënderuar NATO-n për mbështetjen që i ka dhënë FSK-së, komandant Selimi tha se FSK-ja në të ardhmen do të jetë pjesë e NATO-s. Ndërkaq, kërkoi nga parlamentarët mbështetje më të madhe institucionale dhe buxhetore për ngritjen e kapaciteteve të kësaj force.

Gjatë këtij takimi folën edhe kryetarët e komisioneve parlamentare, si dhe anëtarët e komisionit për siguri, të cilët përgëzuan komandantin Selimi për kontributin e tij në FSK, duke theksuar se detyra e komandant Selimit në FSK, duhet të jetë shembull për pasardhësin e tij.

Duke shprehur njëzëri konsideratat më të larta për kontributin e gjenerallejtënant Selimit në UÇK, TMK dhe FSK, parlamentarët theksuan se komandant Selimi ka krijuar një bazament të mirë nga e cila do të dal një ushtri, ushtria e ardhshme e Kosovës.

 

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, priti sot në një takim lamtumirës komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi