Lajmet e fundit
Delegacioni parlamentar i Kroacisë u prit nga anëtarët e dy komisioneve parlamentare
, 23.11.2011
Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë delegacioni parlamentar i Kroacisë, i kryesuar nga kryetari i Saborit kroat, Luka Bebiq është pritur nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe të atij për Integrime Evropiane.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, i cili e ka drejtuar takimin, duke i falënderuar institucionet dhe popullin kroat për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe duke përkujtuar se dy popujt respektiv ishin në të njëjtën anë gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe të shfrytëzimit të përvojave kroate në shtetndërtim dhe për procesin e integrimit evropian. Pasi ka folur me shifra dhe fakte për gjendjen tepër të rëndë ekonomike dhe sociale të popullit të Kosovë, vështirësitë kryesore të vendit Kurti i ka kategorizuar në problemet e njohjes së Kosovës, problemet e shtrirjes së sovranitetit dhe problemet e theksuara të zhvillimit ekonomik të vendit.
"Kroacia e ka njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës dhe e njeh integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës", ka theksuar që në fillim të fjalës së tij, kryetari i Saborit kroat, Luka Bebiq, i cili ka vlerësuar se Kosova për një kohë të shkurtës pas pavarësisë ka dëshmuar vlerat e saj, sidomos për sa i përket lirive të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Duke pohuar statusin kushtetues të 22 pakicave etnike në Kroaci dhe përfaqësimin e tyre në Saborin kroat dhe në institucione të tjera të vendit, përfshirë edhe pakicën shqiptare në, Bebiq është shprehur optimist se shumë shpejtë edhe në Kosovë do të njihen me Kushtetutë pakica kroate dhe ajo malazeze. Duke u shprehur shumë i bindur për rolin që kanë pakicat për marrëdhëniet miqësore ndërmjet kombeve, Bebiq ka theksuar se pakicat janë begati dhe barrë e një shteti:" Edhe po të mos ekzistonte pakica kroate në Kosovë, ajo do duhej shpikur!", është shprehur ai, i bindur se Kosova do ta shtrijë sovranitetin e saj shtetëror, duke gjetur zgjidhjet më të mira për pakicat, sidomos për atë serbe, e cila gjithsesi se do të paqësohet me kalimin e kohës. Kryeparlamentari kroat, ndërkaq, ka shprehur gatishmërinë e Saborit dhe të institucioneve të tjera të vendit të tij për t'ia bartur Kosovës përvojat në procesin e integrimit evropian.
Albin Kurti është pajtuar se kroatët e Kosovës duhet ta gëzojnë statusin e pakicës etnike në Kosovës, por jo edhe atë të bashkësisë etnike, duke pohuar se konservimi statusit të bashkësive etnike, si për pakicat, si për popullsinë shumicë të Kosovë, si dhe privilegjet e theksuara për pakicën serbe, nuk po i shërbejnë zgjidhjes së problemeve, por ashpërsimit të tyre.
Duke pohuar se qytetarët e Kosovës e ndjejnë Kroacinë më afër se sa na ndanë largësia gjeografike, nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Hydajet Hseni, është shprehur: "Duhet ta bëjmë Kosovën të mirë për vete dhe për miqtë tanë që na kanë mbështetur". Ai ka theksuar se problemet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve janë thjesht politike dhe nuk janë as etnike e as fetare, ashtu si dëshiron shpeshherë t'i prezantojë propaganda serbe. Duke tërhequr një paralele ndërmjet të drejtave të mëdha që gëzojnë serbët e Kosovës dhe të drejtave minore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Hyseni është shprehur prerë:"Problemet ekuivalente kërkojnë zgjidhe ekuivalente".
Parlamentarët e të dyja vendeve janë pajtuar plotësisht për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe dy parlamenteve respektove, si dhe për nevojën e krijimit të grupeve të miqësisë.