Lajmet e fundit
Kuvendi organizoi pritje për një grup fëmijësh me aftësi të kufizuara
, 02.12.2011
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës ka organizuar pritje për një grup fëmijësh me aftësi të kufizuara.
Takimi e hapi Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Krasniqi, i cili, duke iu uruar mirëseardhje, theksoi se kjo pritje është një simbolikë mirëkuptimi dhe angazhimi nga ana e Kuvendit të Kosovës, për gjendjen dhe kërkesat e kësaj kategorie të shoqërisë së Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se Kuvendi është duke punuar në infrastrukturën ligjore që njerëzve të kësaj kategorie t'ua bëjë jetën sa më të lehtë dhe integrimin sa më të madh në shoqërinë e Kosovës. Sipas tij, një shoqëri matet për nga niveli i moralit dhe i demokracisë, për aq sa ka qenë e aftë t'i integrojë në mënyrë sa më të suksesshme njerëzit e tillë. Ai tha se për aq sa u takon kompetencave të Kuvendit, e që është nxjerrja e legjislacionit, do të bëjë ç'është e mundur që të nxjerrë ligje sa më të përkryera, në mënyrë kësaj pjese të shoqërisë t'u përmbushen nevojat.
Për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara dhe kërkesat e tyre, folën Drejtori për Kosovë i organizatës "One to One Children's Fund", Bajram Maxhuni dhe kryetari i "Organizatës së Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Kosovës", Gani Mehmeti.
Njëri nga të pranishmit, ndërkaq, i lexoi disa nga nenet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Mysafirët vizituan edhe sallën e mbledhjeve plenare dhe u njohën më gjerësisht me punën e Kuvendit.