Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...
, 15.12.2011
Strategjia minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025, e diskutuar në disa mbledhje paraprake të Komisionit, së fundmi do të shqyrtohet edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kosovës. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, e në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, dhe drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava.
Duke folur për strategjinë minerare, ministri Beqaj njoftoi anëtarët e Komisionit se ajo është e bazuar në Ligjin për miniera dhe minerale, ndërkaq, në harmoni me politikat qeveritare, qëllimi parësor i saj është zhvillimi ekonomik i vendit. Në hartimin e kësaj strategjie, tha në vijim ministri, kanë marrë pjesë ekspertë të fushave përkatëse, menaxhmenti i kombinatit metalurgjik "Trepça" dhe përfaqësues të KPMM-së. Duke kërkuar nga Komisioni që kjo strategji të procedohet në Kuvend për shqyrtim më të gjerë nga ana e deputetëve, ministri Beqaj po ashtu tha se Strategjia minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025, ka paraparë që ajo të rishikohet në çdo tre vjet, varësisht nga rrethanat ekonomike që mund të krijohen. Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, nga ana e tyre u pajtuan që strategjia të përkrahet dhe të procedohet tutje për në mbledhje plenare, me ç'rast do të paraqesin vërejtjet dhe rekomandimet e tyre.