Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 19.12.2011
Pohimet e KDI-së se Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, "ka cenuar pavarësinë e gjyqësorit", u hodhën poshtë në mbledhjen e sotme të këtij Komisioni, kryesuar nga kryetarja, Suzan Novobërdaliu. Vërejtjet e raportit të KDI-së, sipas të cilit rasti Kiqina, rasti i banorëve të fshatit Belanicë dhe rasti i Kryqit të Kuq të Kosovës, s'është dashur as të shqyrtohen në Komision, me arsyetimin se për këto ka ekzistuar vendimi i gjykatave përkatëse, kryetarja Novobërdaliu tha: "Për rastin Kiqina, ka qenë peticioni i nënshkruar me mbi 10 mijë nënshkrime, dhe nga Kryesia e Kuvendit Komisioni ka kërkuar që të vendos për një debat në mbledhje plenare, pa dashur që të diskutohet lidhur me vendimin e gjykatës". Për sa i përket rastit të fshatit Belanicë, Novobërdaliu po ashtu sqaroi se Komisioni vetëm se ka rekomanduar banorët e këtij fshati që për shqetësimet e tyre t'i drejtohen gjykatës përkatëse, përkatësisht, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Edhe në lidhje me rastin e Kryqit të Kuq të Kosovës, për të cilin Komisioni ka rekomanduar që të zbatohet vendimi i gjykatës, e i cili obligon kompanitë e sigurimeve që t'i përmbushin obligimet ligjore ndaj Kryqit të Kuq të Kosovës, Novobërdaliu tha se nuk paraqet as një shkelje dhe presion ndaj institucioneve të pavarura. Përkundrazi, vijoi ajo, Komisioni ka qenë i hapur dhe bashkëpunues, por në rastet kur shqetësimet e qytetarëve që i plotësojnë kërkesat formalo-juridike, Komisioni është i obliguar t'i shqyrtojë.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Avokatit të Popullit, e cila ka të bëjë me shtimin e stafit dhe të buxhetit. Lidhur me këtë, Komisioni vendosi që t'i rekomandojë Komisionit për Buxhet dhe Financa të rishikojë mundësit buxhetore për këtë institucion, në mënyrë që të krijojë mundësi më të mëdha funksionale për të.
Komisioni në këtë mbledhje, shqyrtoi dhe miratoi në parim edhe Projektligjin për persona të verbër dhe pjesërisht të verbër.