Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
, 19.12.2011
Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Lutfi Haziri, kryetar i komisionit, ka miratuar raportin e dytë për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2011, si dhe Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane, për vitin 2012.
Anëtarët e komisionit paraqiten vërejtje në planifikimin buxhetor të vitit 2012, meqë siç theksuan ata, Qeveria nuk ka paraparë mbulimin e obligimeve për Planin e Veprimit. Me këtë rast kërkuan nga Qeveria e Kosovës që nga fondi rezervë ose nga rishikimi i buxhetit t'i mbulojë obligimet për Planin e Veprimit të vitit 2012.
Tutje, anëtarët e komisionit me shumicë votash përkrahën Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Gjatë shqyrtimit të projektligjit, disa nga anëtarët e komisionit theksuan se ka mungesë të qëndrueshmërisë financiare.
Po ashtu përkrahjen e anëtarëve të komisionit e mori edhe Projektligji nr.04/l- 76 për Policinë, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Anëtarët e komisionit, po ashtu u takuan sot edhe me prof.dr. Ludger Kuhnhard, ekspert për Integrime Evropiane, me ç‘rast diskutuan për proceset e integrimeve evropiane, çështjen e zgjerimit të BE-së, liberalizimin e vizave, çështjen e anëtarësimit të Kosovës në BE, etj.