Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 20.12.2011
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012, me amendamente të komisionit funksional dhe pesë projektligje të tjera në shqyrtim të parë.
Projektligji për Buxhetin u procedua pas shterimit të pikave të zakonshme të rendit të ditës, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, të cilave iu përgjigjën: kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrat Edita Tahiri e Sllobon Petroviq, si dhe ministrat: Ramë Buja, Ferid Agani, Bedri Hamza, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci.
Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, para deputetëve e arsyetoi raportin me rekomandime të komisionit, për Projektligjin për Buxhetin. Duke dhënë detaje për punën gjatë shqyrtimit të tij, ajo tha se grupet punuese të komisionit kanë shqyrtuar 86 kërkesa buxhetore, tetë amendamente të deputeteve e të komisioneve parlamentare, si dhe tri rekomandime të komisioneve funksionale. Sipas saj, gjithashtu, janë organizuar 20 dëgjime buxhetore me organizatat e ndryshme buxhetore.
"Të gjitha rekomandimet e grupeve punuese janë analizuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, janë hartuar amendamentet të cilat janë votuar një nga një në komision e po ashtu është miratuar edhe raporti përfundimtar dhe i është rekomanduar Kuvendit që ta miratojë", theksoi Hadërgjonaj.
Disa nga grupet parlamentare shprehën qëndrimet e tyre në lidhje me këtë projektligj, ndërsa Kuvendi vazhdoi me procedimin dhe miratimin e amendamenteve. Pas miratimit një për një të tyre, me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit projektligji u miratua në tërësi.
Një debat i gjerë, ndërkaq, e shoqëroi shqyrtimin e parë të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, një ekspoze të të cilit, para deputetëve, e bëri kryeministri Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës tha se Pakoja e Ahtisarit dhe Neni 8 i Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, Qendrën Historike të Prizrenit e konsiderojnë si zonë të veçantë dhe të mbrojtur, për shkak të specifikave të saj. Ky projektligj, sipas tij, do t'i rregullojë aktivitetet brenda kësaj qendre, duke ruajtur karakterin e saj kulturor, historik dhe fetar. Thaçi në vazhdim foli për organet përkatëse që themelohen nëpërmjet këtij projektligji e që lidhen drejtpërdrejt me Qendrën Historike të Prizrenit.
"Kosova, në asnjë rrethanë nuk rrezikohet nga implementimi i plotë i Dokumentit të Ahtisarit, të cilin e kemi negociuar dhe pranuar të gjithë, bashkërisht. Kosova në asnjë rrethanë nuk rrezikohet duke afirmuar të drejtat e komuniteteve. Ky ligj është mënyra më e mirë për të respektuar trashëgiminë kulturore të të gjitha komuniteteve në Kosovë", theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se projektligji është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe Pakon e Ahtisarit.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, ndërkaq, arsyetoi rekomandimin e komisionit që projektligji t'i kthehet qeverisë për ripunim.
Përfaqësues të grupeve parlamentare, në vazhdim shprehën qëndrimet e tyre, për dhe kundër projektligjit, njëkohësisht, duke i arsyetuar ato. Deputetë të partive në pushtet potencuan nevojën e miratimit të këtij projektligji, ndërsa përfaqësues të partive opozitare shfaqen qëndrimet e tyre kundër tij.
Pas përfundimit të diskutimeve, Kuvendi e miratoi projektligjin dhe e procedoi për shqyrtim të mëtutjeshëm në komisionet parlamentare.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për bujqësi organike, të cilin e prezantoi ministri Blerand Stavileci, Projektligjin për arkivat, që u prezantua nga zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi, Projektligjin për parkun kombëtar "Sharri" dhe atë për parkun kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", të cilët para deputetëve i prezantoi ministri Dardan Gashi, i cili njëherësh dha sqarime shtesë rreth përmbajtjes së tyre, që lidheshin me shqetësimet e ngritura nga qytetarët, rreth pronave të tyre.
Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për deminimin humanitar, për të cilin para Kuvendit foli ministri Agim Çeku.
Mbledhja vazhdon nesër në orën 10:00.