Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

, 21.12.2011




Kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit të Kosovës, deputetët vazhduan sot me mbledhjen e rregullt plenare. Në këtë mbledhje, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, deputetët shqyrtuan për herë të parë dy projektligje dhe një sërë tjerash në lexim të dytë. Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtuan edhe disa raporte të komisioneve që kanë të bëjnë me implementimin e ligjeve të monitoruara prej tyre. Fillimisht, deputetët miratuan në parim Projektligjin për deminimin humanitar. Në parim, deputetët miratuan edhe Projektligjin e Projektkodit penal të Republikës së Kosovës, të cilin para deputetëve e paraqiti zv. kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi. Duke folur për fushën që rregullon ky projektligj, Bukoshi tha se qëllimi i tij është të mbrojë vlerat e shoqërisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan për herë të dytë këto projektligje: Projektligjin për financimin e subjekteve politike, Projektligjin për të huajt, Projektligjin për azilin, Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve, Projektligjin për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, Projektligjin për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror dhe Projektligjin për sportin. Pas deklarimit nga ana e kryetarëve të komisioneve lidhur me këto projektligje, Kuvendi me shumicë votash i miratoi ato. Ndërkaq, shqyrtimin e Projektligjit për ndihmë juridike falas dhe Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, deputetët vendosën ta bëjnë në mbledhjen e radhës, përkatësisht pas harmonizimit të qëndrimeve në mes të grupeve parlamentare dhe harmonizimit të qëndrimeve në mes të Komisionit për Buxhet dhe Financa me ato të Komisionit për Legjislacion.

Projektligji për organizmat e modifikuar gjenetikisht, i cili ishte paraparë të shqyrtohet në mbledhjen e sotme, me propozim të kryetarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani, u vendos t'i kthehet Qeverisë për riformulim.

Pas shqyrtimit të këtyre projektligjeve, mbledhja vijoi me shqyrtimin e raporteve të parapara për këtë mbledhje. Deputetët, fillimisht shqyrtuan Raportin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për tokën bujqësore. Lidhur me këtë, në emër të Komisionit, rekomandimet i paraqiti Nijazi Idrizi, anëtar i Komisionit dhe kryesues grupi për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për tokën bujqësore. Sipas të gjeturave të paraqitura në këtë Raport, Kosova humb mbi 100 hektarë tokë pune në vit, tha Idrizi. Bazuar në të dhënat shqetësuese që përmbante Raporti, foli edhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai me këtë rast tërhoqi vëmendjen duke thënë:" Toka bujqësore është pasuri kombëtare". Në vijim kryeparlamentari kërkoi që vërejtjet dhe rekomandimet e paraqitura të jenë obligative për institucionet përkatëse, ndërkaq nga Kuvendi kërkoi që të ketë qasje më adekuate dhe të jetë më imponues ndaj institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Pas debatit, deputetët unanimisht miratuan këtë Raport dhe rekomandimet të cilat i paraqiti Idrizi. Në këtë mbledhje, Kuvendi po ashtu miratoi edhe Raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për liritë fetare në Kosovë. Vërejtjet dhe sugjerimet e veta lidhur me këtë Raport i shfaqi edhe kreu i Kuvendit. Pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi edhe Raportin me rekomandime të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar.

Pas prezantimit të Raportit të dytë për zbatimin e Planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin 2011 nga deputetja Vjosa Osmani, deputetët miratuan Raportin me rekomandime të Komisionit për Integrime Evropiane për vitin 2011. Po ashtu, Kuvendi përkrahu edhe Planin e veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrime evropiane për vitin e ardhshëm.

Pas kësaj, Kuvendi shqyrtoi rekomandimet e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Lidhur me këtë, Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, pasi lexoi listën prej tre anëtarëve, kërkoi nga deputetët të mbështesin propozimet. Deputetët përkrahën këtë propozim.


Ndërkaq, Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025, Kuvendi i Kosovës vendosi që ta shqyrtoi në një nga mbledhjet e radhës.

Nga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit