Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mbajti një fjalë në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së gjeneral major Shaban Shalës
, 06.01.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka bërë sot homazhe para trupit të pajetë të gjeneral major Shaban Shalës, ndërsa në mbledhjen komemorative, që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ka mbajtur një fjalë rasti.
Duke folur për jetën dhe veprën e Shaban Shalës, para të pranishmëve të shumtë, kryetari Krasniqi bëri një rezyme të aktivitetit të tij politik e ushtarak, në shërbim të kombit e të atdheut. Duke përshkruar fillet e angazhimit politik të Shaban Shalës, kreu i Kuvendit theksoi se që në moshë të re, Shaban Shala hyri në radhët e gjata të militantëve ilegalë të Lëvizjes sonë kombëtare, duke qenë i bindur, jo vetëm në drejtësinë e luftës dhe të idealeve që përfaqësonte, por edhe për kurorëzimin me fitore të sigurt, të rrugës së vështirë e plot sakrifica, që kishte nisur ai dhe brezi i tij.
"Pas demonstratave historike të vitit 1981, në të cilat Shaban Shala, mori pjesë aktive, Lëvizja jonë ndiqej e goditej egërsisht nga regjimi pushtues, me qëllim të zhdukjes së çdo vatre të rezistencës dhe të mposhtjes së popullit shqiptar në përpjekjet për liri, barazi dhe bashkim kombëtar", tha kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se pas burgimit disamuajsh gjatë demonstratave, bashkë me Rexhep Malajn, Nuhi Berishën, Fehmi Lladrovcin, Hafir Shalën dhe qindra veprimtarë të tjerë të vendosur, Shaban Shala iu bë digë fushatës shoviniste kundër popullit shqiptar dhe Lëvizjes së tij kombëtare.
"Unë kam pasur fatin të jem në Burgun e Novi Sadit bashkë me Shaban Shalën. Shumë vite na mbanin të izoluar nga bashkëvuajtësit shqiptarë, por nga fundi i dënimit, u bëmë bashkë disa të burgosur. Kolegët e Lëvizjes në burg e mbajnë mend Shaban Shalën për virtytet e tij të larta, për guximin e moralin e pathyeshëm, për pasionin për librin dhe dijen, për qartësinë vizionare dhe vendosmërinë, për dashurinë dhe kujdesin për shokët dhe për frymën e sakrificës e të vetëmohimit", theksoi ai.
Në vazhdim, kryetari Krasniqi foli për angazhimin politik e ushtarak të Shaban Shalës pas daljes nga burgu, si aktivist për të drejtat e njeriut dhe si luftëtar lirie me pushkë në dorë, duke qenë njëri nga organizatorët orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Shaban Shala ishte në krye të detyrës dhe në moshën më produktive. Ai i duhej edhe sot e nesër Kosovës, të cilën aq shumë e deshi dhe aq shumë bëri për të. Humbjen e veprimtarit të madh, Shaban Shala do ta ndjejmë gjatë, por kujtimi i lavdishëm për të do të jetë i pavdekshëm", theksoi në fund të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Më pas, kryetari Krasniqi mori pjesë në varrimin e Shaban Shalës dhe vendosi një kurorë lulesh mbi varrin e tij.