Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 16.01.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i komisionit, u shqyrtuan dy kërkesa, si dhe shkresa e ndërmarrjes shërbyese " Ekspertimi ".
U tha se shkresa e ndërmarrjes shërbyese " Ekspertimi ", lidhur me problemet gjatë procesit të privatizimit, nuk është në fushëveprimin e komisionit, ndërsa kërkesa e QKUK-së, u tha se duhet të shqyrtohet në komisionin përkatës, Komisionin për Shëndetësi.
Ndërsa, kërkesën e gjyqtares Shahadije Gërguri, komisioni ia adresoi grupit përkatës për këtë çështje.
Anëtarët e komisionit, më tej diskutuan edhe për caktimin e datës për dëgjime publike lidhur me Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, si dhe të Projekt kodit penal të Kosovës.
Dëgjimi publik lidhur me Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve do të mbahet më 25 janar, ndërsa për Projekt- kodin penal të Kosovës, do të mbahet me 8 shkurt, u dakorduan anëtarët e komisionit.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit diskutuan për protestat e 14 janarit të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shprehur shqetësimin e tyre për ngjarjet në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Anëtarët e komisionit, njëzëri theksuan se në mbledhjen e radhës së komisionit temë diskutimi duhet të jetë edhe Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e deputetit, me theks të veçantë imuniteti i deputetëve.
U tha se ky ligj duhet të kthehet sërish në procedurë si nismë legjislative.