Lajmet e fundit

Fjala e dr. Jakup Krasniqit në manifestimin “55 vjet të romanit “Gjarpijt e Gjakut” të Adem Demaçit

, 06.02.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një fjalë rasti në manifestimin "55 vjet të romanit "Gjarpijt e Gjakut" të Adem Demaçit, të organizuar nga KREK, "Buzuku" dhe kolegji "Victory". Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi, të pranishmëve iu drejtua me këto fjalë:
"Është krejt e natyrshme prania e njerëzve në një promovim libri, në një përurim të një vepre arti, po unë ndihem me borxh t'ju shpjegoj se përse pikërisht sot e këtu paraqitem para jush. Pavarësisht faktit se përurimi ka të bëjë me një vepër letrare që nuk i përket vokacionit tim, më shtyjnë tri a katër motive:
E para, ka të bëjë me autorin, zotëri Adem Demaçin, i cili kaherë ka siguruar pozitën e simbolit të rezistencës e të luftës për çlirim kombëtar;
E dyta, ky përurim ka të bëjë me botimin e tetë të Gjarpinjve të gjakut;
E treta, nisma e këtij ribotimi vjen nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës dhe editori "Buzuku";
E katërta, rileximi për të satën herë që i bëra këtij libri.
Pavarësisht faktit se ka shumë mendimtarë e teoricienë letrarë që na bindin se vepra letrare është një kreaturë që bën jetë të pavarur nga autori, le të më lejohet të shfaq mospajtimin tim, së paku kur bëhet fjalë për Demaçin dhe veprën e tij. Në fakt, kur u botua ky roman, më 1958, hyri në botën time të fëmijërisë, pa i mësuar akoma mirë shkronjat, së bashku me emrin e autorit.
Nuk vonoi shumë dhe e morëm vesh faktin se derisa autori ishte në burg, romani Gjarpinjtë e gjakut tashmë kishte hyrë në indeksin e "materialit subversiv" - për UDB-në. Ndoshta, sipas paradoksit fatlum, pikërisht ky fakt bënte që libri nga moshatarët e mi të ishte më i kërkuari dhe më i lexuari. Ai bashkë me autorin na frymëzonin, na jepnin besim e shpresë.
Botimi i sotëm më jep edhe një ndjenjë ngazëllimi, kur shoh se pasioni i leximit të kësaj vepre nga të rinjtë e Kosovës jo se nuk është shuar, por merr hov.
Derisa po e rilexoja edhe vetë këtyre ditëve, krahas përmbajtjes së tij, më erdhën në kujtesë gjëra të çuditshme. Derisa Demaçi shkruante këtë roman, them së mund të ishte viti 1957, sapo kishte mbushur moshën njëzetenjë vjeçare. Është pikërisht ky vit kur Albert Kamy laurohet me çmimin Nobël për letërsi. E merrni me mend tani se ç'zhvillim do të kishte djaloshi që si 21-vjeçar dëshmonte potencialin e krijimit të një romani me strukturë krejtësisht moderne. Unë nuk e di nëse atëherë Demaçi e njihte apo e kishte lexuar "Kthimin e djalit plëngprishës" të Andre Zhidit, "I huaji" të Kamysë, apo "Neverinë" e Sartrit, po sot lehtë mund të tërhiqen paralele ndërmjet "Gjarpinjve të gjakut" dhe veprave në fjalë. E kam fjalën për lirizmin brenda prozës, monologun e brendshëm, dialogët spontanë, të rrjedhshëm e me dramaticitet dhe përgjithësisht kodi etik, psikologjik e ekzistencial i personazheve.
Nga praktika dhe përvoja personale, bie fjala, e di se historia pa filozofinë e historisë shndërrohet thjesht në një kronikë datash e ngjarjesh. Duke ndjekur këtë linjë kujtoj se edhe vepra letrare pa filozofinë e saj mbetet thjesht një fabul për ngjarjet e vetjeve. S'kishte veçse dy vjet që mbi popullin shqiptar në Kosovë ishte zhvilluar aksioni famëkeq i UDB-ës, Aksioni i mbledhjes së armëve (1956), një aksion dhune, terrori e krimi. Nuk ka dyshim se Demaçi i ri e ndjen dhe e përjeton tërë atë atmosferë. Syzheun e romanit ai e vendos në fillim shekullin XX në hapësirën Llap - Gollak. Mustafa, njëri nga personazhet, kështu e përshkruan pushtimin dhe robërinë turke: "E kam pa askerin e Turkut kah ja ngul singinë thmisë n'djep! E kam pa shpinë tue u kallë, e robët e shpisë ngujue mrena tue britë e vilikatë!... Kam pa nanën me thmi para duersh të bame puzhar, si thingilli!... Kam pa eshtna gjinsh t'djegun tue i ngrehë qetë vazhgë!" Pushtim dhe robëri. A nuk jetonte edhe vetë ai dhe Kosova në po atë gjendje, pavarësisht faktit se autori nuk zë ngoje as pushtet as politikë.
Me gojën e personazheve autori shqipton përsiatje që zbërthejnë pikërisht kuptimin filozofik të qenies në përgjithësi dhe të etnosit shqiptar në veçanti:
Citim:
«Koha!... Koha!... Koha është ajo që kapërdin vet¬veten, që si kastraveci i detit vjell vetveten, që lind vetveten... Koha është ajo që fle në prehrin e vetvetes, e cila mbush vetveten, zbraz vetveten, është ajo që kurrë nuk ngutet, po as nuk ndalet kurrë... Koha është ajo që jeton vetëm për vete, në vetvete»,
Ose:
«Nuk farohen Shyptarët aq kollaj, jo; se gurin e brincës e llomit, e grimcon, po pluhun s'mun e ban me marue lloç pej tij!»...
Kjo vepër dhe autori i saj janë edhe një argument shtesë që i çirrte maskën të ashtuquajturit liberalizëm jugosllav, kur për shkak të autorit e pësonte edhe vepra, së paku ku ishte fjala për shqiptarët. Ja, ky është edhe argumenti shtesë, se vepra ndiqte dhe pësonte fatin e autorit, burgohej.
Gjarpinjtë e gjakut dhe pikërisht ky edicion i sotëm na ofron edhe një argument në ballafaqim me zhurmuesit kundër gjuhës së njësuar, kundër standardit letrar. Si në variantin e parë dialektor, si tash në standardin letrar, caqet e perceptimit jo vetëm që nuk zbehen, po, do të thosha marrin kuptim edhe më të thellë e më të këndshëm.
Më thotë mendja se veprat e mëdha dhe autorët e mëdhenj, pavarësisht dukjes, kostumeve, shqiptojnë ide të mëdha, esenca të jetës e të lirisë dhe bëhen thesar për njerëzimin.
Të këtillë e shoh këtë vepër dhe autorin e saj, Adem Demaçin. Kjo më bën që bashkë me urimin t'i them Bacës - I paç të lumtura vitet që ke përpara!"

Fjala e dr. Jakup Krasniqit në manifestimin “55 vjet të romanit “Gjarpijt e Gjakut” të Adem Demaçit