Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesin special të BE-së, për Kosovën, Samuel Zhbogar

, 07.02.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot përfaqësuesin special të BE-së, për Kosovën, Samuel Zhbogar, njëherësh kryesues i Zyrës Evropiane në Kosovë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë , si dhe për forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe mekanizmat e saj në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Përfaqësuesi i BE-së, për Kosovën, Samuel Zhbogar, ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe për pritjen e ngrohtë që i është bërë nga institucionet, nga mediet dhe nga qytetarët e vendit tonë. "Ka shumë gjëra të rëndësishme që BE-ja dhe Kosova duan t'i bëjnë bashkë, prandaj bashkërisht duhet t'i bëjmë reformat për përshpejtimin e rrugës së integrimit të Kosovës drejt BE-së", ka theksuar Zhbogar, duke e vlerësuar në këtë mes shumë të rëndësishme mbështetjen nga Kuvendi i Kosovës të këtyre reformave dhe agjendës evropiane të vendit. Ai e ka vlerësuar të domosdoshëm bashkëpunimin sa më të mirë të Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian dhe me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së edhe për faktin se ato do ta kenë fjalën kryesore për integrimin evropian të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që BE-ja ka ngritur gatishmërinë për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt BE-së, ndërkaq emërimin e zotit Zhbogar në këtë post të rëndësishëm e vlerësoi si dëshmi të kësaj gatishmërie. Kreu i Kuvendit ka pohuar se Kuvendi i Kosovës edhe deri më tani ka pasur marrëdhënie shumë të mira me PE-në dhe me shumë parlamente të vendeve anëtare të BE-së, ndërkaq ka shtuar se marrëdhënie të mira bilaterale janë vënë edhe me parlamentet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia, pos me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, kurse Beogradi zyrtar madje e ka instrumentalizuar një numër të qytetarëve serbë të Kosovës dhe po e pengon stabilizimin e gjendjes në veri të vendit tonë. Duke folur për angazhimet e Kosovës për krijimin e raporteve të mira me qytetarët serbë të Kosovës dhe angazhimin serioz të institucioneve të Kosovës për të realizuar standardet më të larta evropiane për të drejtat e komuniteteve pakicë, Krasniqi ka theksuar se pala kosovare ka qenë konstruktive edhe në dialogun teknik me Serbinë, ndërkaq pala serbe nuk po tregon gatishmërinë për t'i përmbushur marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut në Bruksel.

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesin special të BE-së, për Kosovën, Samuel Zhbogar