Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.02.2012




Në vazhdën e punës për shqyrtimin dhe amendamentimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të bankave, organizatave joqeveritare dhe ekspertë të tjerë, të cilët dhanë vërejtjet dhe ofruan rekomandimet e tyre për këtë projektligj.

Kryetarja Hadërgjonaj, duke iu uruar mirëseardhje të ftuarve, dha një pasqyrë të ecurisë së këtij projektligji deri në fazën e amendamentimit, në funksion të të cilit ishte edhe ky dëgjim publik. Duke e potencuar rëndësinë e këtij projektligji, Hadërgjonaj tha se fusha të cilën ai e mbulon, deri tani nuk ka qenë e rregulluar me ligj. Ajo tha se sistemi bankar i Kosovës dhe veprimtaria e institucioneve mikrofinanciare, kanë qenë të rregulluara me rregullore të UNMIK-ut, ndërsa institucionet jo bankare, me rregulla të Bankës Qendrore.

"Meqenëse ky projektligj rregullon një sferë të rëndësishme që reflekton në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të sektorit financiar, Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka parë të arsyeshme të organizojë këtë dëgjim publik, që t'iu mundësohet të gjithë të interesuarve të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që komisioni ta ketë mundësinë të bëjë ndryshim-plotësimet e nevojshme në projektligj, që kjo fushë të rregullohet sa më mirë, ndërsa ligji të jetë sa më i zbatueshëm në praktikë", theksoi kryetarja Hadërgjonaj.

Në vazhdim, ajo shtoi se me këtë projektligj përmirësohen standardet e qeverisjes së bankave, krijohet mundësia për një mbikëqyrje më të mirë të institucioneve bankare, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, si dhe është përcaktuar mënyra e licencimit, gjë që, sipas saj, e ngrit nivelin e sigurisë e të stabilitetit financiar në vend dhe siguron një nivel më të përshtatshëm të mbrojtjes së depozitave.

Sipas Hadërgjonajt, projektligji përcakton, gjithashtu, edhe veprimtarinë e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jo bankare financiare, si dhe definon kornizën për regjistrimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e tyre.

"Meqenëse ky projektligj ka bërë avancimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonomin tonë, i është përafruar direktivave të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, komisioni e ka mirëpritur atë dhe është i angazhuar të shqyrtojë kujdesshëm çdo vërejtje dhe rekomandim të deputetëve në seancën plenare, si dhe do të analizojë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e juaja në këtë dëgjim publik", u shpreh kryetarja Hadërgjonaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke e prezantuar ligjin, theksoi se gjatë hartimit të tij, janë marrë parasysh standardet më të mira ndërkombëtare, standardet dhe direktivat e BE-së në fushën e mbikëqyrjes e të rregullimit bankar, si dhe parimet bazë të Bazelit për mbikëqyrje efektive bankare. Sipas Hamzës, zhvillimi i sistemit bankar gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë dhe ndryshimet në praktikën e mbikëqyrjes bankare, kanë rritur kërkesën për nxjerrjen e ligjit të ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet e tjera financiare jo bankare, me qëllim të reflektimit të ndryshimeve që kanë ndodhur nga viti 1999 deri më tash.

"Ligji do të mbulojë, përveç bankave komerciale, edhe institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jo bankare. Ligji përmirëson standardet e qeverisjes së bankave. Dispozitat e tij i japin autoritet Bankës Qendrore të ndërmarrë masa përmirësuese si dhe të vendosë gjoba administrative për shkelje të ndryshme të ligjit, me qëllim të forcimit të stabilitetit financiar në vend", tha ministri Hamza.

Sa i përket institucioneve mikrofinanciare, ai tha se ligji përcakton një strukturë të përcaktuar qartë të pronësisë dhe njëkohësisht eliminon paqartësitë ekzistuese në drejtim të institucioneve mikrofinanciare dhe atyre jo bankare.

"Në përgjithësi, ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një infrastrukture moderne ligjore për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, duke siguruar objektivin e saj kryesor për avancimin e një sistemi bankar e financiar, të shëndoshë e stabil, si dhe sigurimin e një niveli të përshtatshëm mbrojtës të interesave të depozitorëve", u shpreh Hamza.

Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, përmendi një varg risish që projektligji sjell në këtë fushë, ndërsa theksoi se risia kryesore ka të bëjë me forcimin e kritereve të qeverisjes, si nevojë aktuale për bankat dhe institucionet financiare në Kosovë.

Anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së, Mejdi Bektashi e Sejdi Rexhepi, ekspertët, përfaqësuesit e bankave, të institucioneve të tjera e të shoqërisë civile, i bënë një elaborim të detajuar projektligjit, dhanë vërejtje dhe sugjerime për rregullimin pjesëve të caktuara të tij. Duke e cilësuar si ligj shumë të domosdoshëm për vendin, diskutuesit zhvilluan një debat të gjerë duke potencuar mangësitë e projektligjit dhe duke mëtuar të japin zgjidhjet adekuate për përmirësimin e tij.

Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, vërejtjet e diskutuesve i konsideroi të rëndësishme dhe theksoi se komisioni, gjatë amendamentimit të projektligjit, do t'i marrë ato parasysh dhe do t'i trajtojë seriozisht.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa