Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 10.02.2012




Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme ishte çështje shqyrtimi në dëgjimin e sotëm publik të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilin e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, të ftuar në këtë dëgjim publik, prezantuan qëndrimet e institucioneve që përfaqësojnë.

Paraprakisht, kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, duke potencuar rëndësinë e këtij dëgjimi publik, theksoi se ai është organizuar në funksion të marrjes së qëndrimeve nga palët me të cilat ka të bëjë projektligji. Ajo tha se projektligji ka të bëjë me ndryshimin e normës së tatimit në pronën e paluajtshme, por njëkohësisht rregullon edhe disa procedura të ankimimit. Plotësim-ndryshimet, sipas saj, kanë të bëjnë me nenet 7, 15 dhe 22 të projektligjit.

Ministri Hamza, ndërkaq, bëri një rezyme të ecurisë së amendamentimit të projektligjit në qeveri deri në procedimin e tij në Kuvend. Ai tha se synim i qeverisë është që komunat të kenë vetqëndrueshmëri financiare, të grumbullojnë sa më tepër të hyra vetanake dhe t'i rrisin ato. Tatimi në pronë, sipas tij, është një prej të hyrave që u takon qind për qind komunave, ndërsa në këtë aspekt, Kosova ka ndërtuar një sistem për me të avancuarve në rajon.

Sa i përket ndryshimeve të propozuara në ligj, konkretisht, ndryshimit të nivelit të poshtëm të tatimin në pronën e paluajtshme, Hamza tha se paraprakisht është marrë qëndrimi miratues nga kryetarët e komunave të Kosovës. Aktualisht, sipas tij, mesatarja e tatimit në pronë që paguan një familje në Kosovë, është 38 euro.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bajrush Xhemaili, nga ana e tij, theksoi se në funksion të diskutimeve për decentralizimin financiar në Kosovë, Bordi i AAK-së është takuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa në raportin e tij të fundvitit të kaluar, FMN-ja ka propozuar në norma më e ulët e tatimit në pronë të jetë 0.5 për qind. Ky nivel kaq i lartë, sipas Xhemailit, ka qenë i papranueshëm për komunat. Ai tha se për këtë arsye, Këshilli i kryetarëve të komunave është takuar me ministrin Hamza dhe është arritur konsensusi që kjo normë të jetë 0.15 për qind.

Gjatë këtij dëgjimi publik, anëtarët e komisionit shtruan pyetje në adresë të të ftuarve dhe shfaqën qëndrimet e tyre sa i përket propozim-ndryshimeve në projektligj.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa