Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 13.02.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar kërkesën (gojore) të Presidentes dhe të Kryeministrit të Kosovës për mbajtjen e një seance solemne për 4-vjetorin e Pavarësisë dhe ka vendosur që seanca e kërkuar të mbahet ditën e enjte, më 16 shkurt, në orën 14:00.

Deputetëve dhe mysafirëve të ftuar do t'u drejtohen me nga një fjalë rasti: presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi.

Të mërkurën, ndërkaq, më 15 shkurt, Kuvendi mban seancë të rregullt, në të cilën, si rëndom, fillimisht do të shterohen pikat e përhershme: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje plenare deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, kurse për herë të dytë do të shqyrtojnë: Projektligjin për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe Projektligjin për Arkivat. Do të shqyrtohet, ndërkaq edhe Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Punës.

Megjithëse është paraparë si pikë e fundit e rendit të ditës, shqyrtimi i Propozim-Planit të punës së Kuvendit për vitin 2012 , pritet zgjojë vëmendjen e deputetëve dhe debat për një plan sa më të pasur dhe efikas për legjislativin e vendit.

Duke e marrë në konsideratë vendimin e Presidentes lidhur për kthimin e Ligjit për Policinë e Kosovës, në rishqyrtim, Kryesia ngarkon Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës që ta shqyrtojë Vendimin e Presidentes lidhur me Ligjin për Policinë e Kosovës, për rishqyrtim dhe Kuvendit t'ia paraqesë Raportin me rekomandime, në afatin prej dy javësh.

Kryesia ka vendosur që Rekomandimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe peticione për debat parlamentar lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës, ta radhisë në rend të ditës së seancës së radhës. Ndërkaq, kërkesën e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për afat shtesë për ta shqyrtuar Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve, Kryesia ka vendosur ta procedojë si njoftim për të njëjtën seancë.

Mocionin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të konstatuar zbatimin e Rregullores së Kuvendit, Kryesia ia kalon Nënkomisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore të Kuvendit, për të konstatuar zbatimin e Rregullores së Kuvendit dhe për t'ia paraqitur Kuvendi Raportin me rekomandime.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit