Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
, 13.02.2012
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojë së shqyrtuari Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, pasi që të vendoset se në kuadër të cilit autoritet qeveritar do të funksionojë ky Agjencion. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit. Lidhur me këtë, ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë (MAPH), Dardan Gashi kërkoi nga Komisioni kohë shtesë për konsultime brendaqeveritare para se të bëhet amendamentimi i Projektligjit nga ana e Komisionit. Agjencia e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, aktivitetin e saj të deritashëm e ka ushtruar në kuadër të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë (MAPH). Sipas disa amendamenteve të Projektligjit, ky Agjencion parashihet që të kalojë në Zyrën e kryeministrit ose të funksionoj i pavarur.
Në këtë mbledhje, Komisioni shprehu shqetësimin edhe për Raportin e ELUP-it, (Projekti për mbështetje e përdorim të tokës), sipas të cilit toka bujqësore në Kosovë është e kontaminuar. Për sa i përket kësaj, Komisioni vendosi që në mbledhjen e radhës të ftohen ministrat e Bujqësisë dhe Ambientit: Stavileci e Gashi.
Po ashtu, në këtë mbledhje Komisioni shqyrtoi dhe miratoi disa amendamente të Projektligjit për mbeturina.