Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
, 14.02.2012
Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, u diskutua lidhur me Projektligjin për Hoçën e Madhe. Mbledhjen e kryesoi Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, i cili fillimisht njoftoi se Projektligji për Hoçën e Madhe ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe është amendamentuar dhe përgatitur për shqyrtim të dytë nga ana e Komisionit. Po ashtu, Hasni njoftoi se amendamentet e këtij Projektligji janë shqyrtuar edhe nga komisionet e tjera funksionale të cilat nuk kanë dhënë vërejtje, por, janë dakorduar për procedim të mëtutjeshëm të Projektligjit.
Ndërkaq, Goran Marinkoviç, kryetar i Komisionit për Komunitete, duke komentuar Projektligjin dhe amendamentet e tij tha se duhet identifikuar më qartë zonat e veçanta, për të cilat Ligji po ashtu duhet siguruar mbrojtje të veçant. Në vijim, Marinkoviç kërkoi nga Komisioni i Bujqësisë të arsyetojë amendamentet e paraqitura, ndërkaq, Komisioni për Komunitete do të vendosë në një nga mbledhjet e tij të ardhshme.
Vërejtjet lidhur me Projektligjin paraqiti edhe anëtari tjetër i Komisionit për Komunitete nga radhët e SLS-së, Petar Miletiç. Ai me këtë rast vuri në dukje se amendamenti i katërt i Projektligjit, për të dhe subjektin që ai përfaqëson, është dhe mbetet i papranueshëm, deri sa ai nuk ndryshon. Miletiç, vërejtje paraqiti edhe në amendamentin e dytë të Projektligjit, ku sipas dispozitave të parapara në Projektligj është paraparë të sigurohet vetëm mbrojtje kulturore e jo edhe fetare. Lidhur me këtë, deputeti Liburn Aliu (VV), sqaroi se dispozita e Projektligjit e cila trajton mbrojtjen kulturore është në harmoni me standardet më të larta të BE-së, dispozitë kjo e cila nënkupton edhe mbrojtjen fetare. Në vijim, kryesuesi i mbledhjes Hasani, lexoi dhe arsyetoi një për një të dymbëdhjetë amendamentet e Projektligjit. Pas kësaj, anëtarët e Komisionit për Komunitete u zotuan se amendamentet do të shqyrtohen edhe një herë në një nga mbledhjet e tij të ardhshme, ndërkaq, lidhur me vendimin që do të marrin do të njoftojnë me shkrim Komisionin për Bujqësi.