Lajmet e fundit

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

, 15.02.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një fjalë rasti në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, e cila u mbajt nën drejtimin e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi tha:"Jemi të vetëdijshëm se shoqëria jonë është shoqëri e re, institucionet që kemi ndërtuar janë të reja, ndaj ato kanë nevojë për mbështetje institucionale, nga shoqëria civile dhe shoqëria kosovare në përgjithësi.

Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë këtyre viteve, si institucion përfaqësues i qytetarëve të Kosovës, si institucion ligjvënës dhe mbikëqyrës i trupave të pavarura që ka zgjedhur, përfshirë edhe ekzekutivin, gjatë këtyre viteve ka miratuar , pos Kushtetutës, si akt më i lartë juridik për funksionimin e shtetit dhe institucioneve të tij, edhe një infrastrukturë të gjerë ligjore, për t' i luftuar dukuritë negative të shoqërisë në tranzicion, duke ditur se edhe shoqëritë që kanë stabilitet, kanë nevojë për përsosjen e ligjeve. Si institucion më i lartë ligjvënës kemi kontribuuar me infrastrukturë ligjore në ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, që kanë për obligim t' i luftojnë dukuritë negative të shoqërisë dhe t' i bëjnë institucionet sa më funksionale. Ky ka qenë obligim i përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës dhe ky është obligim i Parlamentit të Kosovës, si institucion më i lartë i shtetit. Janë institucionet tjera që kanë për obligim të zbatojnë ligjet që i miratojmë në Kuvend. Jemi të vetëdijshëm se institucionet që kemi ndërtuar, të cilat kanë për obligim ta mbrojnë paranë publike të qytetarëve ende nuk janë funksionalizuar për t' i kryer detyrat e tyre konform Kushtetutës dhe ligjeve të miratuara. Si duket, këto institucione po kanë nevojë edhe për institucione mbështetëse dhe këshillëdhënëse , siç është ky Këshill Kombëtar që po konstituohet sot kundër korrupsionit. Por, për hir të së vërtetës duhet të themi se shoqëria kosovare dhe institucionet e Kosovës gjatë këtyre viteve nuk kanë arritur të luftojnë në shkallën e duhur asnjë formë të krimit organizuar, se nuk është vetëm korrupsioni në shoqërinë e Kosovës, që është duke e penguar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të këtij vendi, por edhe mosluftimi i krimeve të ndryshme të organizuara, edhe të sferës politike, edhe të sferës ekonomike, që realisht janë duke e penguar Kosovën , shtetin tonë të ri, për të ecur përpara në rrugën e demokratizimit , të zhvillimit dhe të integrimeve. Prandaj, si Kuvend, edhe një herë e themi me këtë rast, se do të jemi të gatshëm të miratojmë çdo infrastrukturë ligjore, që i funksionalizon institucionet e pavarura të shtetit, e në mënyrë të veçantë segmentin e drejtësisë , që konsiderojmë se ka pasur shenja të dobësisë në luftë kundër dukurive që sot janë në shoqërinë e Kosovës, ndërsa një nga këto dukuri na ka tubuar sot këtu , në Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit . Unë dëshiroj që ky Këshill Kombëtar vërtet të japë këshilla dhe të ndihmojë institucionet kushtetuese dhe ato të pavarura , që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për të luftuar edhe këtë dukuri , apo këtë fenomen të shoqërive në përgjithësi, e të shoqërisë kosovare ne veçanti. Në emër të Kuvendit jam për atë që të formojmë trupa që ndihmojnë funksionimin e institucioneve kushtetuese që kanë për obligim luftimin e këtyre dukurive", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

 

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi në mbledhjen inauguruese të  Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit