Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtorin rajonal të NDI-së, Rob Benjamin

, 15.02.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim drejtorin rajonal të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Rob Benjamin, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së, për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, si dhe hapave që duhet ndërmarrë në këtë drejtim.


Duke i uruar mirëseardhje, kryetari Krasniqi e njoftoi z. Benjamin me ecurinë e zhvillimit dhe të ngritjes së kapaciteteve të administratës së Kuvendit, me ç'rast çmoi lart mbështetjen dhe kontributin që NDI-ja ka dhënë në këtë drejtim. Kryeparlamentari foli edhe për bashkërendimin veprimeve të Kuvendit me të gjithë partnerët e tij, për një vlerësim të të arriturave të deritashme dhe për identifikimin e nevojave të administratës, në të cilat do të fokusohej mbështetja në të ardhmen. Në këtë funksion, kryetari Krasniqi përmendi disa nga sektorët në të cilët do të mund të përqendrohej kjo mbështetje, si: hulumtimet parlamentare, stafi mbështetës i komisioneve etj.


Drejtori rajonal i NDI-së, i cili në këtë takim ishte i shoqëruar nga zyrtarë të NDI-së në Kosovë, vlerësoi lart bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe premtoi mbështetje edhe në të ardhmen. Ngritja e kapaciteteve në sektorin e hulumtimeve parlamentare, të stafit mbështetës të komisioneve dhe marrëdhënieve me publikun (përfshirë hapjen e Qendrës për Vizitorë), ishin fushat kryesore që i potencoi z. Benjamin dhe në të cilat do të fokusohet mbështetja e NDI-së.

Kryeparlamentari Krasniqi dhe drejtori rajonal i NDI-së u pajtuan për sektorët në të cilat duhet të shtrihet kjo mbështetje, duke e vlerësuar atë të nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të administratës së Kuvendit të Kosovës.


Duke pasur parasysh që ky takim u zhvillua në vigjilje të 4-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, z. Benjamin e uroi kryetarin Krasniqi për këtë përvjetor të shtetësisë së vendit.

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtorin rajonal të NDI-së, Rob Benjamin