Lajmet e fundit
U formua Komisioni për fillimin procedurës për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës
, 15.02.2012
Në bazë të autorizimeve që dalin nga nenet 6 dhe 7 të Ligjit nr. 03-L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot në Kuvendin e Kosovës është formuar Komisioni për fillimin procedurës për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës (në vend të dy gjyqtareve që u skadon mandati). Komisionin do ta kryesojë kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, kurse zvendskryesues janë emëruar Ismet Beqiri dhe Sasha Millosavleviq. Anëtarë të Komisionit do të jenë: udhëheqësit e secilit grup parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose anëtarët e Kuvendit - përfaqësues të deleguar të tyre, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese. Komisionin do ta kryesojë kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, kurse zëvendëskryesues janë emëruar Ismet Beqiri dhe Sasha Millosavleviq
Komisioni i sapoformuar ka marrë Vendimin për publikimin e thirrjes/ftesës publike për zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. "Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, në pajtim me nenin 6 dhe 7 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (Nr. 2008/03-L-121), fton Kuvendin e Republikës së Kosovës, institucionet gjyqësore, fakultetet juridike, Odën e Avokatëve, Shoqatën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, partitë politike, personat e tjerë relevant juridik dhe individë që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Po ashtu një person mund të propozojë veten për kandidat.
Komisioni në mënyrë të veçantë do ta ketë në konsideratë përmbushjen e parimit për barazi gjinore për kandidim, sipas kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj", thuhet në këtë vendim.