Lajmet e fundit

Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 16.02.2012




Kuvendi i Kosovës shënoi sot 4 -vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Seancën solemne të Kuvendit, të organizuar për nder të këtij përvjetori, e kryesoi dr. Jakup Krasniqi, ku ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës,Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi,udhëheqës tjerë të lartë të institucioneve shtetërore, kulturore e fetare, si dhe përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë. Pas intonimit të himnit, në fjalën e rastit para të pranishëmve, kryekuvendari Krasniqi tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovës në këtë sallë, më 17 shkurt të vitit 2008, ishte akt historik dhe sublimues i luftërave të pareshtura të shumë brezave për liri dhe mëvetësi shtetërore të vendit tonë. `

Mosha e shtetit të Kosovës është e re, por ideali i popullit të tij për liri e pavarësi është i vjetër. Ky ideal frymëzoi e mobilizoi ndër dekada e shekuj bijat e bijtë më të mirë të kësaj toke, të cilët u nisën rrugës së vështirë, por të lavdishme për t'u bërë theror të lirisë.

Mirënjohje për SHBA-në, BE-në dhe vendet anëtare të NATO-s

Duke folur për kontributin që dhanë faktorët ndërkombëtarë në Pavarësinë e Kosovës, kryekuvendari Krasniqi tha:"Gjej këtë rast solemn t'u shpreh mirënjohje të thellë gjithë miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në e BE-në dhe vendeve anëtare të NATO-s, që u vunë në anën e së drejtës dhe bënë të mundur çlirimin e shpejtë dhe pavarësimin e Kosovës, rindërtimin dhe demokratizimin e saj, afirmimin ndërkombëtar dhe njohjen nga afro nëntëdhjetë vende, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara".

Pasi foli për historikun e Kosovës drejt Pavarësisë dhe flijimet që u bënë për të arritur këtë ditë, kryekuvendari Krasniqi tha se Kosova gjatë këtyre katër viteve të pavarësisë ka bërë hapa të mëdhenj, drejt ndërtimit e konsolidimit të shtetit demokratik, drejt ngritjes së institucioneve shtetërore, drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar e zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik, por si çdo fillim, e sidomos ai i jetës së pavarur të popujve të sapo dalë nga luftërat çlirimtare, është i vështirë. Ja përse Kosovës, sikur në luftë edhe sot i duhen energjitë e potencialet e bashkuara për të arritur hapin e kohës dhe për të zënë proceset historike, nëpër të cilat po kalon rajoni ynë.

Vetëm duke dyfishuar ritmet e zhvillimit historik, Kosova mund të barazohet me vendet e lira prej kohësh, vetëm duke shfrytëzuar gjithë potencialin dhe vlerat e saj, mund të hyjë denjësisht dhe kokë lartë në familjen e integruar evropiane, atje ku e ka vendin gjeografikisht, historikisht, politikisht dhe kulturalisht. Në gjithë Gadishullin tonë, po bëhet zotërues ideali i integrimeve e i partneritetit midis kombeve dhe vendeve.

Realiteti i ri i krijuar në Ballkan, sidomos pas Luftës çlirimtare të Kosovës, solli në këtë pjesë të Evropës prezencën ushtarake të NATO-s. Vendosmëria e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë globale, për të mos lejuar përsëritjen e historisë tragjike, luan një rol të madh në zhdukjen e të gjitha tendencave luftënxitëse në rajonin tonë.

Në vazhdim kryekuvendari Krasniqi tha se në këtë përvjetor vjen fuqishëm zëri i kushtrimit nga vitet e rezistencës dhe nga vargu i pambarim i dëshmorëve të lirisë, vjen thirrja amanet e kryetrimit tonë legjendar, komandantit Adem Jashari, për të mbrojtur fitoret historike, për të kultivuar vlerat e traditës së shkëlqyer të popullit tonë dhe për të përparuar e zhvilluar vendin e të parëve tanë. Ndërkaq, tash tha ai:"Para nesh është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në shoqëri.

Kosova po hyn në vitin e pestë të pavarësisë, si shtet modern evropian, demokratik dhe me respekt e njohje të gjerë ndërkombëtare. Ajo përbën sot një faktor shumë të rëndësishëm paqendërtues dhe bashkëpunues në rajonin tonë dhe më gjerë", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë


Në fjalën e rastit presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga theksoi se ideja filozofike dhe politike për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës ishte gjithmonë ide humane, duke u bërë një rilindje në mendimin kritik, një origjinalitet në mendimin dhe në veprimin politik, një gërshetim i urtësisë si mençuri dhe përgjegjësi, një platformë largpamëse si strategji dhe si veprim e sjellje pragmatike, duke i shfrytëzuar të gjitha potencialet dhe kapacitetet, duke vënë në përdorim përvojën nga tradita e pasur, të plotësuar me idetë bashkëkohore filozofike e politike, si ndërtim i një shoqërie të re, që solli mirëkuptimin dhe përkrahjen ndërkombëtare për kauzën e drejtë të Kosovës dhe që, si asnjëherë më parë, solli frytet që sot po e gëzojmë Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, shoqëri demokratike të të gjithë qytetarëve, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me rrugën e qartë e prosperuese të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO".
Në vijim ajo tha se
duke vlerësuar të arriturat , kujtohen të gjithë ata që sakrifikuan, që ranë në altarin e lirisë dhe që u shkrinë duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut, për të qenë të lirë dhe sovranë në trojet tona, për ta ndërtuar Kosovën shtet të lirë e të pavarur. Në këtë frymë ajo tha se sot kujtohen dy figurat emblematike, presidenti historik dr. Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dy simbole këto udhërrëfyese për të tashmen dhe për të ardhmen tonë.

Duke i bërë një vështrim ecjes së Kosovës a drejt pavarësisë znj. Jahjaga tha:" Duke e nderuar të kaluarën tonë e nderojmë sakrificën, e nderojmë edhe të tashmen dhe të ardhshmen tonë, sepse programi politik rreth të cilit u bashkuam ishte i drejtë, human, largpamës, i bazuar në traditat më të mira të popullit tonë, në vlerat civilizuese evropiane, duke na përcaktuar fuqishëm në familjen e popujve të Evropës. Në këtë rrugë ne nuk ishim vetëm, patëm përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, që bëri intervenimin ushtarak humanitar për të shpëtuar një popull. Për këtë, Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë. Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillojmë marrëdhënie të mira bilaterale dhe fqinjësore, duke dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë", theksoi ajo..

Ajo në vazhdim tha se Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe përfaqësohet dhe do të përfaqësohet e barabartë e me reciprocitet të plotë. Republika e Kosovës është e ndërtuar në parimin qytetar, me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit. Të gjitha etnitë e Kosovës i gëzojnë të drejtat e tyre të plota kombëtare, pa marrë parasysh numrin e tyre. Kjo është vlerë e jona e ndërtuar tradicionalisht, duke respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin.

Qytetarët dhe subjektet politike të Kosovës u dëshmuan për tolerancën dhe mirëkuptimin për respektimin e rregullave dhe të ligjit, duke ndërtuar koalicione qeverisëse efikase, duke pasur opozitë konstruktive dhe duke ndërtuar kohezion dhe unitet, duke i vënë në funksion të proceseve demokratike dhe shtetndërtuese, tha presidentja Jahjaga.

17 shkurti i vitit 2008 është ngjarje kulmore e Kosovës dhe e qytetarëve të saj

Duke iu drejtuar të pranishmëve kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se 17 shkurti i vitit 2008, është ngjarja më kulmore historike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ndërkaq, në vazhdim u shpreh:"Ëndrrën bashkërisht e bëmë realitet. Për të mbërritur deri te festa e madhe e pavarësisë së Kosovës, të gjithë ne së bashku punuam dhe sakrifikuam shumë. Sot kujtojmë presidentin Rugova, komandantin Adem Jashari, gjithë komandantët, ushtarët, luftëtarët dhe heronjtë e Lirisë së Kosovës.

Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri dhe demokraci të atdheut tonë, e realizuam bashkërisht, me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar.

Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm me të cilin krenohemi të gjithë, por edhe miqtë tanë. Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik. Ne të gjithë së bashku, ndihemi krenar, ashtu si e arritëm pavarësinë e vendit tonë, bashkërisht po punojmë edhe sot çdo ditë për zhvillimin dhe integrimin e Republikës sonë në institucionet euro-atlantike".

Në vijim kryeministri Thaçi tha se Bashkimi Evropian nuk është vetëm mekanizëm politik, por mbi të gjitha është bashkim i sistemit të vlerave. Po kështu shoqëria dhe shtet i Kosovës synojnë po ato vlera, po atë vizion, ndërtimin e Kosovës Evropiane. Secili qytetarë i Kosovës duhet të ndihet mirë dhe krenar për kontributin e tij, në realizimin e këtij vizioni.

Viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. "Institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje. Prandaj sot, shfrytëzoj rastin për t'i falënderuar për bashkëpunim dhe kontributin e tyre në forcimin e shtetit të Kosovës. Falënderojmë shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtare Drejtues, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, NATO-n dhe të gjitha institucionet tjera që e mbështesin vendin tonë", theksoi ai.

Dueke folur për të arriturat e vendit në zhvillimin e gjithëmbarshmë kryeministri Thaçi vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm institucional, me filozofinë e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, ndaj brenda katër vjetësh u shënuan zhvillime të rëndësishme në Kosovë. U krijuan më shumë vende të reja të punës, e përmirësua infrastruktura e përgjithshme kudo në Kosovë. Një pjesë e autostradës moderne Vërmicë-Merdar, duke përmbushur kriteret më të larta, u përfundua në afat rekord.

U ngritën pagat substancialisht për të gjitha kategoritë sociale, në arsim, shëndetësi, polici, familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, për pjesëtarë të FSK-së, pensionistë, shërbyesit civilë, dhe për të gjithë bartësit e institucioneve vitale të shoqërisë. Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve , vazhdon të jetë preokupim dhe objektiv themelor,
theksoi kryeministri Thaçi.

 

Seancë  solemne  e Kuvendit të Republikës së Kosovës