Lajmet e fundit
Reagim i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit
, 20.02.2012
Përkitazi me kronikën e dhënë në ditarin e mbrëmjes në RTK, më datë 16 shkurt 2012, që kishte të bënte me raportin e Institutit për Drejtësi në Kosovë me temën "Falja në Kosovë", Kabinetit i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës bën këtë reagim, në të cilin thuhet :"
"Konstatojmë se:
Falja është e drejtë e Presidentit e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ( Neni 84.1.29) dhe me Ligj për Falje. I tërë procesi që ka të bëjë me procedurën e faljes së të burgosurve nga ana e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit z. Jakup Krasniqi në vitin 2011, është bërë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Falje dhe Dekretin për përcaktimin e Kritereve për Faljen e Personave të Dënuar. Ky proces është bërë në bashkëpunim të plotë, komunikim të ndërsjellë dhe transparencë me të gjitha institucionet përkatëse dhe kompetente shtetërore për trajtimin e të burgosurve dhe të drejtave të tyre, përkatësisht me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Shërbimin korrektues të Kosovës.
Komisioni i emëruar nga Presidenti në detyrë, ju ka përmbajtur të gjitha kritereve ligjore gjatë shqyrtimin e kërkesave të burgosurve për falje. Andaj, raporti i komisionit është në harmoni të plotë me dispozitat e Kodit Penal ( Kreu i XIII dhe XIV ), Ligjit për Faljen, dhe kriteret e përcaktuara me Dekretin e Presidentit për falje.
Konstatimet e dala nga raporti i Institutit për Drejtësi i vlerësojmë si jo të sakta jo profesionale dhe shumë tendencioze e paragjykuese.
Në radhë të parë ata i ngatërrojnë institucionin e faljes me amnistinë dhe lirimin me kusht edhe pse këto janë të ngjashme por jo të njëjta, institucione këto të cilat dallojnë njëri me tjetrin. Amnistia dhe lirimi me kusht fare nuk janë në kuadër të kompetencave të Presidentit.
Akti i faljes është akt human i cili zbatohet në praktikën e vendeve demokratike të bazuara në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ku edhe të drejtat e të burgosurve janë pjesë integrale e tyre.
Respektimi i kritereve ligjore gjatë procedurës së ndjekur në shqyrtimin e kërkesave për falje gjatë vitit 2011, hedhë poshtë pretendimet e raportit-analizës së Institutit për Drejtësi në Kosovë.
Megjithatë jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha dëshmitë për punën e bërë dhe të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë për t'i zbardhë të gjitha dyshimet pretenduese të analizës së Institutit për Drejtësi, por edhe për të sqaruar para opinionit publik respektimin e ligjit dhe përgjegjshmërinë institucionale në ushtrimin e detyrës publike".
Bashkangjitur gjeni shënimin zyrtar të Zyrës së Presidentit për mënyrën e trajtimit të kërkesave për falje".
Republika e Kosovës -Zyra e Presidentit
Mënyra e trajtimit të kërkesës për falje;
Çdo qytetar i Kosovës ka të drejt t'i drejtohet Presidentit të Republikës me kërkesë për falje të dënimit të shqiptuar me vendim përfundimtar nga gjykata.
Kur kërkesa pranohet në Zyrën e Presidentit , Zyra e Presidentit kërkon nga Ministria e Drejtësisë të grumbullojë informata shtesë për kërkuesin e faljes dhe faktet që ai paraqet me këtë rast.
Në praktikë deri më tani, Presidenti përmes Zyrës së vet ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht Drejtorinë e Burgjeve, kur ka synuar, të japë falje, në mënyrë që të njoftohen të gjithë të dënuarit që mbahen në institucionet korrektuese për mundësinë që ata kërkojnë falje.
Zakonisht, Drejtoria e Burgjeve jep një vlerësim që plotësohet nga punëtori social lidhur me sjelljen dhe karakterin e të burgosurit. Po ashtu Presidenti njoftohet për disiplinën e të burgosurit, recidivizmin eventual, rrezikun për recidivizëm dhe informata tjera me interes. Çdo kërkesë për falje patjetër duhet të ketë vendimin e formës përfundimtare të gjykatës.
Në të gjitha rastet deri më tani, Presidenti ka formuar një komision ad hoc i cili i ka shqyrtuar të gjitha kërkesat për falje. Të gjitha faljet e bëra i janë rekomanduar Presidentit nga ky komision ad hoc.
Xhafer Tahiri, drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare