Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 21.02.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar dhe përkrahur sot amendamentet për dy projektligje, të propozuara nga grupet punuese të komisionit.
Në emër të grupit punues për amendamentimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat, kryetarja Hadërgjonaj prezantoi amendamentet e përgatitura. Pas shqyrtimit një për një të tyre, komisioni i përkrahu ato dhe projektligji në tërësi u procedua tutje në Kuvend.
Amendamentet e grupit punues për Projektligjin për lojërat e fatit, ndërkaq, i prezantoi kryesuesja e këtij grupi, deputetja Hykmete Bajrami. Komisioni shqyrtoi secilin amendament veç e veç dhe pas një diskutimi përmbajtësor, me disa ndryshime, i përkrahu ato. U përkrahën, gjithashtu, edhe disa propozim-amendamente të deputetit Shaip Muja.
Në këtë mbledhje, komisioni formoi një grup punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parasë dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, si dhe një grup tjetër për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.