Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

, 22.02.2012




Kryesuar nga kryetarja Suzan Novobërdaliu, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione në mbledhjen e sotme, vlerësoi se Ligji për privatizim dhe ai për Agjencionin Kosovar të Privatizimit (AKP), nuk i'u përgjigjen interesave të qytetarëve të Kosovës. Këtë vlerësim, anëtarët e Komisonit e bënë gjatë shqyrtimit të një peticioni të banorëve nga fshati Grejkoc K.K.Suharekë.

Lidhur me shqetësimet e këtyre banorëve, para anëtarëve të Komisionit foli përfaqësuesi i fshatit, Zeqir Kurtishaj. Me këtë rast, Kurtishaj njoftoi se për banorët e këtij fshati është shqetësues pretendimi i AKP-së për privatizimin e një parcele prej më se 50 hektarësh, e cila tradicionalisht ka qenë pronë e tyre. Përfaqësuesi i këtij fshati po ashtu njoftoi se deri në vitin 1953, banorët pa u penguar kanë shfrytëzuar tokat e tyre. Pas këtij viti, vijoi ai, pushteti i atëhershëm banorëve u ka marrë pronat për të krijuar kombinatin bujqësorë "NBI SUHAREKA". Pronat, vijoi së sqaruari Kurtishaj, në vitin 1991 u janë kthyer banorëve, por nuk kanë hyrë në Regjistrin Kadastral të K.K. të Suharekës. AKP-ja synon ta privatizojë këtë pronë duke e konsideruar si shoqërore me titullar të sajin kombinatin bujqësor "NBI SUHAREKA", tha ai. Për këto, dhe shumë paqartësi rreth kësaj prone foli në vijim përfaqësuesi i fshatit Grejkoc, i cili po ashtu njoftoi edhe me hapat që kanë marrë banorët për parandalimin e privatizimit të këtyre pronave. Ndonëse për këto prona kontestimore, banorët u janë drejtuar gjykatave të të gjitha niveleve, madje edhe Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për jetësimin e të drejtës së tyre mbi pronën, problem paraqet Ligji mbi privatizimin, i cili ndalon shqyrtimin e lëndëve kontestimore gjatë procesit të likuiditimit të tyre, tha në fund Kurtishaj dhe kërkoi përkrahje nga Komisioni.

Anëtarët e Komisionit, pasi dëgjuan qëndrimet e përfaqësuesve të fshatit, bazuar edhe në rastet e tjera si ky, vlerësuan se Ligji për privatizim dhe ai për Agjencionin Kosovar të Privatizimit (AKP), nuk i'u përgjigjen interesave të qytetarëve të Kosovës. Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit vendosën të marrin iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e këtyre ligjeve. Po ashtu, Komisioni vendosi që me një shkresë t'i drejtohet kreut të Komunës së Suharekës, që brenda mundësive që ka Kuvendi Komunal tu dal në ndihmë këtyre banorëve.

Pas kësaj, kryetarja e Komisionit, Novobërdaliu, njoftoi edhe për ecurinë e draftimit të Projektligjit për të verbrit dhe gjysmë të verbër.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...