Lajmet e fundit
Në Drenas u promovuan tre libra të kryeparlamentarit Krasniqi
, 22.02.2012
Nën organizimin e Shoqatës së Inxhinierëve të Drenicës dhe Intelektualëve të Drenasit, sot në Drenas janë promovuar tre libra të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi: "Pranvera e Lirisë '81", "Guxo ta duash Lirinë" dhe "Flijimi për Lirinë".
Për rëndësinë e këtij tubimi, në cilësi të organizatorit, foli Gani Krasniqi, ndërsa për secilin libër veç e veç, folën: Zeqir Bekolli, deputeti Hydajet Hyseni dhe shkrimtari Daut Demaku.
Duke folur për librin "Pranvera e Lirisë ‘81", Zeqir Bekolli theksoi se ky libër përmban një vlerësim real për demonstratat e vitit 1981, duke u mbështetur në rrethanat vendore e ndërkombëtare të kohës. Duke potencuar rëndësinë dhe masivitetin e këtyre demonstratave, Bekolli bëri një elaborim të situatës politike të viteve të '80-ta dhe të qëndrimit të udhëheqjes së atëhershme të Kosovës karshi popullit në demonstratë dhe kërkesave të tij, zhvillime këto të trajtuara në librin e Krasniqit.
Edhe pse këto ngjarje kishin dimensionet e veta politike, sipas Bekollit, sintezës së Krasniqit nuk i shpëtojnë për asnjë çast as sakrificat e Asllan Pirevës e Naser Hajrizit, ndikimet e ilegales dhe rëniet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut.
"Autori me të drejtë konstaton se meritën më të madhe historike dhe kombëtare për rivendosjen e çështjes shqiptare në analet ndërkombëtare, në radhe të parë e ka sakrifica titanike shqiptare, lëvizja kombëtare dhe së fundi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari", theksoi Bekolli.
Deputeti Hydajet Hyseni, në fjalën e tij për librin "Guxo ta duash lirinë", theksoi se Jakup Krasniqi është ndër ata që e kanë bërë historinë dhe e kanë shkruar atë. Dhe e veçanta, sipas tij, është fakti se të dyja i ka bërë me përkushtim të shquar.
"Jakup Krasniqi historian, nuk ka lejuar të bëhet peng i politikës dhe i interesave të saj, por e ka ruajtur konsistencën e tij shkencore, dhe Jakup Krasniqi politikan, nuk ka lejuar asnjëherë që të bëhet rob i të kaluarës, por i ka shikuar ato në proces, në përputhje me kërkesat e kohës. Kjo vërehet qartë në gjithë krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij", theksoi Hyseni.
Në librin "Guxo ta duash Lirinë", sipas Hysenit, Jakup Krasniqi e vazhdon atë që e ka përmbledhur në librin "Pranvera e Lirisë '81" dhe e ka lidhur me Epopenë e lavdishme të UÇK-së e të familjes Jashari, në librin "Flijimi për Lirinë". "Këto lidhen në mënyrë të natyrshme, siç janë lidhur edhe në veprimtarinë e vet autorit", u shpreh Hydajet Hyseni.
Shkrimtari Daut Demaku, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi se në librat e Jakup Krasniqit, do të gjeni me shembuj konkretë, prioritetin e parë: flijimin për lirinë. Ai tha se librat e Jakup Krasniqit kuptohen qartë, posa të zbërthehet filozofia e titullit: "Flijimi për Lirinë".
"Më lejoni të lexoj vetëm një fjali shumë të shkurtër: ‘Vetëm aty ku fle Çmimi Nobel për Liri, si guri në vend të vet, aty është pallati i pavarësisë së Kosovës'. Unë po e vazhdoj, te Jasharët në Prekaz", theksoi Demaku.
Kryeparlametnari Krasniqi, duke iu drejtuar me një fjalë të pranishmëve dhe duke i falënderuar ata për pjesëmarrje, theksoi se këto tri vepra janë të shkruara gjatë 20 vjetëve: 1991 - 2011. Ai tha se në këto libra shkruhet për të gjithë gjeografinë shqiptare, por epiqendra, sipas tij, është Drenica.
"Jam përpjekur që të japë përmasën e një flijimi të veçantë të familjes Jashari dhe komandantit Legjendar Adem Jashari. Ata janë flijuar që ne të jemi të lirë dhe së bashku me qytetarët, të jenë çliruar edhe 11 mijë km²", u shpreh Krasniqi. Ai shfaqi bindjen që familja Jashari nuk mund të ketë një simotër, jo vetëm në Kosovë, por as jashtë Kosovës, për faktin se flijimi i kësaj familjeje, tre breza njëherësh, ka mobilizuar popullin shqiptar për të rrëmbyer armët dhe për t'i sjell vendit lirinë.