Lajmet e fundit

Nga konferenca “Kompetencat dhe roli i Presidentit...”

, 28.02.2012




Kosovës i duhet një president ceremonial dhe Republika e Kosovës duhet të saktësohet si Republikë parlamentare, me pushtete të ndara dhe të balancuara, theksoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Në kuadër të aktiviteteve të Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për gjetjen së një zgjidhje sa më të mirë për modelin e Presidentit që do të ketë Kosova pas ndryshimeve kushtetuese, ky komision, bashkërisht me Institutin për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP) dhe me Friedrich Erbert Stiftung (FES), ka organizuar sot konferencën “Kompetencat dhe roli i Presidentit në përcaktimin e modelit të Qeverisjes në Republikë – mësimet dhe përvojat regjionale”.

Në hapje të Konferencës, me një fjalë hyrëse, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili bëri një analizë të zhvillimeve politike dhe të lindjes së nevojës për ndryshime kushtetuese. Në këtë kontekst, Krasniqi tha se kjo ka rrjedhur si mungesë e përvojës së jetës institucionale për zgjedhjen e presidentit, duke shtruar kështu nevojën për gjetjen e një rruge që presidenti i vendit, i cili duhet të jetë faktor unifikues në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, të mos bëhet pjesë e pazareve politike në qeverisjen e vendit. Sipas kryetarit të Kuvendit, në përvojën e shkurtër parlamentare të Kosovës, zgjedhja e presidentit, në vazhdimësi ka prodhuar vështirësi, për të mos thënë edhe kriza.

“Jam i bindur që Kosovës i duhet një president ceremonial dhe Republika e Kosovës duhet të saktësohet si Republikë parlamentare, me pushtete të ndara dhe të balancuara. Nëse arrijmë që në kushtetutën tonë t’i ndajmë pushtetet dhe t’i balancojmë ato, do të krijojmë kushte për një shëndet më të mirë të demokracisë në Kosovë”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Kreu i legjislativit theksoi se qëllimi i ndryshimeve kushtetuese duhet të jetë saktësimi i detyrave dhe i përgjegjësive të presidentit, detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, si institucioni më i lartë legjislativ, dhe fuqizimi i kryeministrit në fushën e ekzekutivit.

Kryetari i Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, ndërkaq, tha se kjo konferencë është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave në funksion të arritjes së zgjidhjeve sa më të mira kushtetuese për Republikën e Kosovës, e cila, sipas tij, po pretendon të gjejë një model të suksesshëm të qeverisjes e të sistemit politik, që do të krijojë stabilitet politik dhe do të mundësojë funksionalitet kushtetues.

“Kjo konferencë do të nxjerrë konkluzione shumë të rëndësishme të cilat do të hyjnë në funksion Komisionit Kushtetues dhe do të na mundësojnë që të përcaktojmë zgjidhje funksionale, të cilat do të marrin parasysh praktikat e mira në shtete të ndryshme, por edhe nevojat e Kosovës, në mënyrë që të bëhet një kombinim i këtyre përvojave me realitetin në vend”, u shpreh Bajrami.

Me nga një fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel dhe drejtoresha e FES-it në Prishtinë, Beate Martin, ndërsa konferenca vazhdoi me diskutimet e panelistëve dhe të ftuarve të tjerë.

Nga konferenca “Kompetencat dhe roli i Presidentit...”