Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 27.02.2012




"Sa i përket Raportit të Progresit, për vitin 2011, si Ministri e Drejtësisë, jemi ndarë të kënaqur me ndryshimet pozitive, të cilat janë realizuar, por natyrisht se ka edhe sfida tjera. Kemi ndërmarrë veprime në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe në koordinim të plotë për fushën e rendit dhe ligjit me EULEX-in, meqë jemi në bordin për sundimin e rendit dhe ligjit, ku marrin pjesë përveç përfaqësuesve të EULEX-it edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe të Komisionit Evropian. Andaj, fokusi i veçantë në këtë bord ka të bëjë me Raportin e Progresit të KE-së.", tha fillimisht zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane,duke folur për sfidat dhe veprimet që ka ndërmarrë ministria të cilën e përfaqëson ai.

Ministri Kuçi tha se vitin e kaluar janë bërë ndryshime në kompetencat dhe në përbërjen e gjyqtarëve në Dhomën e Veçantë, dhe se është zvogëluar numri i gjyqtarëve të EULEX-it, ndërkaq është rritur numri i gjyqtarëve vendor.

Mes tjerash zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi tha se janë ndërmarrë hapa të veçantë për divizionin për integrim gjyqësor dhe se ky divizion në tërësi është bartur në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në mënyrë që të jetë më efikas.

Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, Projektligji për Avokaturën Shtetërore, Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Procedurën Përmbarimore, Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale, Ndryshimi dhe Plotësimi i Kodit të Procedurës Penale, Ndryshimi i Projektligjit për noterinë, Projektligji për kundërvajtje, Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Gjykatat, i Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për atë Prokurorial, Prokurorinë e Shtetit, si dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë ligjet të cilat janë paraparë për procedim gjatë këtij viti.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë raportimit të tij para deputetëve, kërkoi mbështetje nga komisioni parlamentar për integrime evropiane që në Komisionin Kushtetues të vihet edhe neni ku parasheh Ligjin për Amnestinë.

Tutje, Kuçi shtoi se MD-ja ka filluar edhe me krijimin e kushteve më të mira për gjyqtarët dhe prokurorët. Mes tjerash ai tha se Shërbimi Korrektues përballët me vështirësi për sigurimin e fondeve për riparime, por mesatarisht sipas tij kushtet në shërbimin korrektues në Kosovë, janë të përafërta me vendet e rajonit.

Kuçi foli edhe për Kodin e ri Penal, ndërkaq, sqaroi se MD-ja përmes një shkrese ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që të hiqet neni 37, si dhe të modifikohet neni 38, që ka të bëjë me punën e gazetarëve.
Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarëve të komisionit, ministri Kuçi tha se MD-ja përpiqet që të krijojë kushte edhe më të mira për funksionimin e gjyqësorit dhe prokurorisë që t'i kryeje detyrat e veta për infrastrukturën ligjore, në kuadër të sistemit të drejtësisë dhe të jap kontributin e vet që rendi dhe ligji të përmirësohet, në përputhje me standardet që kërkohen për integrime evropiane, të cilat janë funksionale për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Anëtarët e Komisionit, Lutfi Haziri, Blerim Shala, Vjosa Osmani, Albert Kinolli dhe Blerta Deliu, kërkuan sqarime të shumta nga ministri Kuçi, me theks të veçantë lidhur me çështjen e gjykatave në Veri, praninë ndërkombëtare në fushën e gjyqësorit , dëshmitarët e mbrojtur, rreth procesit të përfundimit të Pavarësisë së Mbikëqyrur, etj.

Lidhur me funksionalitetin e gjyqësorit në tërësi në Kosovë, ministri Kuçi theksoi se MD-ja ka vënë tri kushte për këtë: sistemi të jetë unik anë kënd Republikës së Kosovës, të ketë ligje të aplikueshme të njëjta në të gjithë vendin, si dhe të ketë hierarki të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurove nga KGJK-ja.

Ai shtoi se mosfunksionimi i gjykatave në veri ndikon në shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Tutje, sa i përket procesit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, ministri Kuçi tha se prania e misionit civil ndërkombëtar do të përfundoj brenda këtij viti, ndërsa në tranzicion mbetet prania e EULEX-it.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, sqaroi se në muajin mars Komisioni do të paraqesë në seancë plenare Planin e Veprimit të realizuar për tre mujorin e parë, për të parë progresin dhe sfidat që ka identifikuar edhe kjo ministri.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane