Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 29.02.2012
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e tij të sotme, të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar zbatimin e Planit dhe i Programit të Punës së Komisionit, i cili ishte miratuar në mbledhjen e fundit të këtij komisioni.
Ndër pikat që duhet të përmbushen gjatë muajit mars janë theksuar raportimi në Komisioni i ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, si dhe raportimi i zv.kryemisistres, Edita Tahiri, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.
Anëtarët e Komisionit janë pajtuar që paraprakisht nga ministri Makolli të kërkojnë një raport për ministrinë që e udhëheq, duke përfshirë edhe prioritetet që kanë të bëjnë me mërgatën tonë në vende të ndryshme të botës.
Është thënë gjithashtu që kërkesa për raportim në Kuvend t'i përsëritet zv.kryeministres Tahiri, e cila do të duhej ta kishte bërë këtë gjatë muajit shkurt, por e cila, siç u theksua, madje as që i është përgjigjur fare Komisionit. Anëtarët e Komisionit kanë kërkuar gjithashtu tekstin origjinal të marrëveshjes për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale, si dhe përkthimin zyrtar të atij teksti.
Një pjesë e takimit të sotëm i është kushtuar bashkëpunimit me përfaqësuesit e organizatave mbështetëse të komisioneve parlamentare, të cilët kanë raportuar për mundësitë e mbështetjes së Komisionit për Punë të Jashtme.
Në pikën e rendit të ditës: të ndryshme, anëtari i Komisionit, Shaip Muja, ka ngritur edhe një herë çështjen e shkarkimit të z. Kurti nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, duke e arsyetuar atë me punën e pakët të këtij komisioni për shkak të, siç është shprehur ai, izolimit nga faktorë ndërkombëtarë me ndikim. Ai ka theksuar me këtë rast vendosmërinë e tij për ta ngritur këtë çështje edhe në seancë plenare për ta realizuar largimin e Kurtit nga kreu i Komisionit.
Kurti, nga ana e tij, i ka cituar z. Muja normat e Rregullores së Kuvendit se si zgjidhen kryetarët e komisioneve, duke përjashtuar mundësinë e shkarkimit, pos nëse kështu dëshiron subjekti politik, i cili e ka deleguar. Ai, ndërkaq, e ka mohuar se është izoluar nga faktorë ndërkombëtarë, duke i përmendur takimet me jashtë që ka pasur dhe agjendën e takimeve që do t'i ketë gjatë këtij sesioni. Kurti ka pohuar se ai dhe komisioni të cilin e udhëheq, janë izoluar nga Qeveria e Kosovës, e cila i ka pamundësuar pjesëmarrjen në takime të rëndësishme me diplomatë të huaj, që janë mbajtur në Prishtinë, nën partonazhin e Qeverisë apo të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Anëtarët e tjerë të Komisionit, ndërkaq, kanë mbajtur qëndrim se çështja e ngritur është përtej mundësive të një komisioni parlamentar dhe se çështja e drejtuesve të komisioneve është çështje e subjekteve politike parlamentare, e bërë me marrëveshje në fillim të Legjislaturës dhe me rregulla strikete.