Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 01.03.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), ka shqyrtuar rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, rreth kërkesave të pensionistëve, të parashtruara në Kuvend nëpërmjet një peticioni.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve parlamentare iu përgjigjën ministrat: Besim Beqaj, Ferid Agani, Blerand Stavileci dhe Mahir Yagcilar.

Debati parlamentar lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës të Republikës së Kosovës, u përcoll me diskutime të shumta nga ana e deputetëve të Kuvendit.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobërdali, fillimisht, prezantoi rekomandimet e komisionit për gjendjen e pensionistëve dhe invalidëve të punës, të miratuara në komision pas shqyrtimit të peticionit të Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës.

Në rekomandimet e propozuara, kërkohej nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në mënyrë urgjente të përgatisë pakon projektligjeve lidhur me sistemin e pensionistëve dhe të invalidëve të punës; ndryshimi dhe reformimi i skemës së pensioneve të menaxhuara nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale; që pensioni mesatar të jetë 60 për qind nga paga mesatare në Kosovë dhe çdo rritje apo zvogëlim i pensioneve të varet prej përqindjes se rritjes, apo zvogëlimit të pagës mesatare në Kosovë. Kërkohej, gjithashtu, që përderisa nuk sigurohen pensionet reale për ekzistencë (jetë dinjitoze) për pensionistët, të ketë subvencionime, si dhe kërkohej që gjatë takimeve dhe bisedimeve teknike me palën serbe, të vendosë me prioritet për zgjidhjen e çështjes, lidhur me fondin e pensionistëve të Kosovës.


Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha se është insistuar që të gjendet një formë e pranueshme për të gjithë, por shtoi se institucionet e Kosovës kanë mundësi të kufizuara financiare. Ai tha se në të gjitha takimet, i ka mirëkuptuar pensionistët në kërkesat e tyre, por dëshirat dhe mundësitë, sipas tij, janë shumë larg njëra-tjetrës. Sipas tij, FMN-ja dhe Banka Botërore janë faktorë me të cilët bashkëpunimi është i domosdoshëm.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti Shaip Muja bëri një kronologji të zhvillimeve rreth sistemit pensional në Kosovë. Duke e cilësuar gjendjen e pensionistëve si mjaft sensitive dhe komplekse, propozoi që të krijohet një komision i gjerë ndërqeveritar, i cili do ta merrej thellësisht me këtë çështje.

Deputetja Rita Hajzeraj nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), foli me tone negative për gjendjen e pensionistëve në vend. Duke bërë krahasime me nivelin e pensioneve të Kosovës me vendet e rajonit, tha se pensionistët e Kosovës janë më të papaguarit në regjion.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (VV), nëpërmjet deputetit të saj Liburn Aliu, potencoi domosdoshmërinë e ndryshimit të gjendjes së kësaj kategorie të shoqërisë. Aliu tha se kërkesat e pensionistëve nuk janë të paarritshme dhe shtroi nevojën e trajtimit të barabartë për të gjithë qytetarët.

Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputeti Ahmet Isufi tha se kjo është një temë e ndjeshme për një kategori të shoqërisë, e cila, sipas tij, ka mbetur në gjendje të mjerueshme. Kjo, theksoi Isufi, është rrjedhojë e mos avancimit të politikave të mirëfillta sociale dhe politike në Kosovë.

Deputetja Myzejene Selmani nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovën e Re (KKR) dhe Myfera Shinik nga Grupi Parlamentar 6 Plus, potencuan, gjithashtu, domosdoshmërinë e tejkalimit të kësaj gjendje dhe shtruan nevojën e ndërmarrjes së hapave të tjerë për të përmirësuar kushtet e jetesës së pensionistëve.

Në vazhdim, debati u pasua me diskutime të gjera nga radhët e deputetëve të pozitës e opozitës, gjatë të cilave u vlerësua lart roli i pensionistëve në proceset e gjithmbarshme në Kosovë. Si rrjedhojë, u konstatua legjitimiteti i kërkesave që ata kanë parashtruar dhe u përvijuan alternativat për përmbushjen e tyre. U theksua se pensionistët nuk po kërkojnë lëmoshë, por ata duan kthimin e kontributit të tyre, të dhënë gjatë dekadave të jetës së tyre. U potencua, gjithashtu, se duhet të kihen parasysh edhe mundësitë reale të buxhetit të shtetit.

Plaçkitja e fondit pensional të Kosovës nga ana e Serbisë dhe kërkesa për kthimin e tij, u ngrit nga shumë deputetë të Kuvendit, të cilët kërkuan që kjo të futet në kuadër të temave në bisedimet me Serbinë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi nga deputetët që të fokusohen në rekomandimet e komisionit dhe shtroi nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për tejkalimin e gjendjes në të cilën ndodhet kjo pjesë e shoqërisë. Në këtë linjë, ai përmendi fondin e privatizimit, një pjesë e të cilit, sipas Krasniqit, do të mund të shfrytëzohej për krijimin e fondit pensional, përfshirë këtu edhe tatim shtesë për personat e punësuar, bizneset etj.

"Jemi të obliguar të komunikojmë me qeverinë dhe me faktorë të tjerë, në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje të pranueshme dhe në interes për pensionistët, që ata ta kenë një jetë të dinjitetshme", theksoi kryetari Krasniqi.

Pas një pauze, me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve rreth votimit, Grupi Parlamentar i PDK-së propozoi që Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe ai për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të bashkërendojnë qëndrimet, ndërsa rekomandimet t'ia përcjellin Komisionit për Buxhet dhe Financa. Partitë opozitare, ndërkaq, insistuan që të hidhen në votim në tërësi rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Rekomandimet u hodhën në votim dhe me shumicë votash ato nuk u miratuan nga Kuvendi.

Seanca vazhdon nesër në orën 10:00.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës