Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesin e FMN-së, Wigand
, 02.03.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Johanes Wigand.
Përfaqësuesi i FMN-së e njoftoi kryetarin e Kuvendit lidhur me bisedimet që po zhvillohen me Qeverinë e Kosovës për programin "Stand by", duke potencuar ecurinë pozitive të këtyre bisedimeve. Ai tha se miratimi i këtij Programi në muajin prill, kërkon paraprakisht miratimin e dy ligjeve nga ana e Kuvendit: Ligjin për fondet pensionale të Kosovës dhe atë për bankat.
Kryeparlamentari Krasniqi shtroi nevojën e vazhdimit të mbikëqyrjes financare për Kosovën nga ana e FMN-në dhe të bashkëpunimit me mekanizmat e tjerë financiarë ndërkombëtarë. Në këtë vështrim, kryetari i Kuvendit theksoi se të dy projektligjet janë në procedurë dhe shfaqi besimin se ato do të miratohen në Kuvend në një afat sa më të shpejtë.
Krasniqi dha një pasqyrë të miratimit të ligjeve në Kuvend, duke veçuar mbikëqyrjen që u bëhet atyre gjatë shqyrtimit nëpër komisione, për të parë nëse implikimet financiare të tyre janë në përputhje me planifikimet buxhetore. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.