Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
, 09.03.2012
Me kërkesën e Grupit të Grave Deputete, mbështetur me 44 nënshkrime deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare dhe të të gjitha nacionaliteteve , Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të veçantë plenare, për të debatuar për pozitën e gruas në shoqërinë e Kosovës.
Që në fillim të mbledhjes plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të saj e ka drejtuar nënkryetari i Kuvendit, dr. Sabri Hamiti), kryetarja e Grupit të Grave deputete, Teuta Sahatqija ka arsyetuar kërkesën për këtë seancë, si dhe ka paraqitur rekomandimet, të cilat, të begatuara gjatë debatit parlamentar, ka kërkuar të miratohen në përfundim të mbledhjes së sotme plenare.
Debatin e ka hapur kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi gjinore, Persona të pagjetur dhe Petecione, Suzana Novoberdali, e cila ka theksuar rolin shumë të rëndësishëm të gruas gjatë gjithë historisë njerëzore, si dhe rolin e gruas në shoqërinë e sotme të Kosovës. Ajo ka lavdëruar rregullimin normativ të pozitës së gruas në shoqërinë tonë, duke e lavdëruar edhe përfaqësimin e saj në institucionet shtetërore të Kosovës, por ka pohuar se realizimi të drejtave të gruas në praktikë has në shumë pengesa.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka folur Blerta Deliu- Kodra, e cila ka përmendur miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore: Ligjin për punën, atë për Barazinë gjinore dhe Ligjin kundër diskriminimit, duke pohuar se kusht për integrimin evropian të Kosovës do të jetë edhe niveli i mirë i realizimit të barazisë gjinore.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka përshëndetur këtë nismë për debat parlamentar për pozitën e gruas në shoqërinë e Kosovës, si dhe punën e madhe që po bën Grupi i Grave Deputete. Të drejtat e gruas i ka quajtur fundamentale për një shoqëri të emancipuar, kurse arsimimin e gruas e ka vlerësuar kusht të krijimit të një shoqërie të zhvilluar demokratike.
Dje, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Prishtinë është mbajtur një protestë e grave - viktima të dhunës serbe, ka theksuar Alma Lama, në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje! Duke i vlerësuar viktimat "gra pa zë", ajo ka kërkuar që ato të mbështeten gjithanshëm nga shoqëria dhe institucionet, përfshirë edhe kërkim shpagimi për traumat e pësuara nga ushtarë dhe paramilitarë serbë.
Ahmet Isufi, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka theksuar se barazia gjinore nuk realizohet me lutje e ankesa, por me Kushtetutë dhe me ligje. Duhet të ofrojmë mundësi që gruaja të ndjehet e barabartë, ka thënë ai, duke kërkuar që Inspektorati i Punës të hetojë rregullisht zbatimin e Ligjit për punën, sidomos kur ka të bëjë me gratë.
Gruaja së pari duhet të ndjehet e barabartë në familje, ka thënë deputetja Myzejene Selmani në emër të KKR-së, duke shtuar se vetëm atëherë krijohen premisa të mira edhe për barazi në të gjithë lëmenjtë e tjerë të jetës.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar 6+, Myfera Shenik, është ndalur në rëndësinë historike dhe aktuale të 8 Marsit, si ditë Ndërkombëtare e Gruas. Duke kremtuar këtë ditë, ka thënë ajo, duhet të mendojmë sa janë gratë të barabarta në aspektin gjinor, dhe sa janë të përfaqësuara në arsim, shëndetësi, ekonomi, jetë shoqërore dhe në politikë.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërgjinor e ka ilustruar me veprat e suksesshme artistike, si këngën "Baresha" të Rexho Mulliqit dhe Nexhmie Pagarushës, me dramën "Erveheja" të regjisorit Muharrem Qena dhe aktores Melihate Ajetit dhe me një spektër të gjerë krijuesish nga artet, kultura, sportet etj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, temën e debatit e ka vlerësuar të ndjeshme, jo vetëm për vendin tonë, duke shtruar pyetjet: Çka ka mund të bëjmë për gruan? Çka duhet ndryshojmë në planin e të drejtave të grave në Kosovë? Si të përgatitemi të avancojmë në këtë plan? etj. Ai ka përkujtuar se Kuvendi kohë më parë ka miratuar një rezolutë në mbështetje të Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit. Ai ka mbajtur qëndrim që me realizimin e të drejtave të gruas duhet të fillohet me edukatën në familje, si dhe është angazhuar për një arsim cilësor, i cili do të krijojë gjenerata të reja me integritet.
Në vazhdim është zhvilluar debat i gjerë parlamentar lidhur me pozitën e gruas në shoqërinë e Kosovës. Një pjesë e diskutuesve, ndërkaq, kanë përmendur lista të gjata të grave që kanë lënë gjurmë në historinë e gjatë të shqiptarëve.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, pasi e ka përmbyllur fjalën e tij në këtë debat, në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin e grave deputete, kryetares së GGD-së, Teuta Sahatqija, i ka dhuruar një buqetë lulesh të freskëta.
Në përfundim të seancës deputetët kanë miratuar rekomandimet për forcimin e pozitës së gruas në Kosovës, të cilat do të publikohen pasi të nënshkruhen nga kryetari i Kuvendit.