Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
, 21.03.2012
Për rëndësinë e Ligjit për Hoçën e Madhe, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, folën kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith. Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, njoftoi me këtë rast se Projektligjin për Hoçën e Madhe Komisioni e ka shqyrtuar, por, duke u bazuar në rrethanat e reja dhe nevojën e përmbushjes së Planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, këtë Projektligj, Komisioni do ta rishqyrtojë së bashku me amendamentet e propozuara nga ICO-ja dhe Komisioni për Komunitete.
Ndërkaq, përfaqësuesi i ICO-së, Pieter Feith, duke folur për këtë Projektligj, pasi vuri në pah nevojën e ngutshme të miratimit të tij në Kuvend, siguroi se Projektligji me amendamentet e propozuara nga ana e tyre nuk bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. "Unë, nuk jam këtu që të përzihem në punët e Qeverisë e as të ndërhyjë në punët e Kuvendit të Kosovës, por përpiqem të kontribuoj sa më shumë që është e mundur, me theks të veçantë në zbatimin e Propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari", tha Faith. Ai në vijim foli për rëndësinë që kanë ligjet, për siç tha ai: "Për të kompletuar legjislacionin që rrjedh nga Propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari, sepse na ndihmon neve dhe Kosovën për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur". Në fund, Faith po ashtu tha se interesimin e tyre nuk duhet parë si tentim për të detyruar anëtarët e Komisionit apo anëtarët e Kuvendit të pranojnë gjëra për të cilat kanë shqetësime. Lidhur me këtë, ai u tërhoqi vëmendjen anëtarëve të Komisionit duke thënë:" Ju duhet të jeni të vëmendshëm se zbatimi i plotë i Planit të presidentit Ahtisari është i nevojshëm për Kosovën".
Kryeministri i vendit, Thaçi ndërkaq, inkurajoi anëtarët e Komisionit për punë të mëtutjeshme. Ai po ashtu vlerësoi lart punën që ka bërë Komisioni me angazhimin e pakursyer për përmbushjen e Planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari. Në vijim ai njoftoi anëtarët e Komisionit se Kosova ka mbështetje unike nga BE-ja, ndërkaq kërkoi angazhim edhe më të madh për përmbushjen e obligimeve, në mënyrë që t'i jepet fund pavarësisë së mbikëqyrur. Për sa i përket Projektligjit për Hoçën e Madhe, kryeministri propozoi që amendamentet e propozuar nga ICO-ja dhe Komisioni për Komunitete, të analizohen në hollësi dhe pasi që të harmonizohen qëndrimet lidhur me to, bashkërisht të vendosin në mbledhjen e nesërme.
Ky propozim i kryeministrit u mirëprit nga anëtarët e Komisionit.