Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
, 27.03.2012
Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, priti sot në takim delegacionin e BE-së, kryesuar nga z. Lawrence Meredith, kryesues i Njësisë për Kosovë në Bruksel.
Më këtë rast, kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, duke përshëndetur krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, tha se kjo ditë për Kosovën, është një ditë evropiane, ndërkaq, falënderoi z. Lawrence Meredith, për ardhjen e tij në Kosovë, si dhe për vizitën që ai i bëri Komisionit për Integrime Evropiane.
Lawrence Meredith, duke e cilësuar si një rast historik lansimin e fillimit të studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit për Kosovën, pas zyrtarizmit nga ana e Komisionierit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Füle, shkurtimisht shpalosi disa mendime të komisionarit Füle
Ai tha se komisioneri Füle ka nënvizuar se lansimi i Studimit të Fizibilitetit shënon një fazë të re në marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës. Ndërsa, duke theksuar se ky studim do të përfshijë të arriturat në vend, përmendi faktin se sfidë e madhe për Kosovën mbetet administrata publike. Tutje, ai shtoi se z. Füle, po ashtu ka theksuar se në këtë Këshill duhet të ketë konsensus të gjerë në Kosovë nga mbarë spektri politik, si dhe të dilet me një pikëpamje të përbashkët sa i përket reformave elektorale.
Më tej z. Füle inkurajoi që të bëhet më shumë në integrimin e pakicave, në veçanti për komunitetin serb në Kosovë, tha Lawrence Meredith , duke shtuar se lansimi i Studimit të Fizibilitetit është pjesë e një agjende ambicioze të BE-së, për marrëdhëniet e saj me Kosovën.
Ndërsa, duke përmendur vlerësimin e z. Füle, Meredith shtoi se komisioneri ka pohuar se duhet të kemi të pritura reale, si dhe reforma të cilat duhet të bëhen për sigurimin e dokumenteve, menaxhimin e kufijve, të drejtat fundamentale, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë këtij takimi u theksua se BE-ja do ta përkrahë vendin për përgatitjen e agjendës afatgjate gjithëpërfshirëse për veriun, si dhe u mirëprit krijimi i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, duke u theksuar më tej fakti se kjo është një mundësi e mirë për të ndërtuar konsensusin.
Anëtarët e Komisionit, gjatë këtij takimi ngritën një mori çështjesh, për të cilat u përgjigj Lawrence Meredith, kryesues i Njësisë për Kosovë në Bruksel.
Me këtë rast, Haziri, tha se inaugurimi i Këshillit për integrime evropiane ka qenë qëllimi i vizitës së komisionarit Füle dhe kjo ka sjellë veprime konkrete për të shënuar progresin më të madh për Integrimet Evropiane në Kosovë. Ai më tej theksoi se arritja e konsensusit tonë në komisionin parlamentar dhe i agjendës evropiane, në përgjithësi është në përputhje me vullnetin dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Qytetarët tanë kanë një orientim evropian dhe janë mbështetës të agjendës evropiane. Ndërsa, ne reflektojmë vullnetin e tyre si parti politike, theksoi Haziri.
Anëtarja e komisionit, Alma Lama, gjatë këtij takimi ngriti po ashtu një sërë çështjesh, duke kërkuar sqarime nga Meredith lidhur me garancitë e tyre pas përfundimit të këtij studimi, ndërsa theksoi se shoqëria e Kosovës për Integrimet Evropiane ka konsensus, mirëpo shtoi ajo konsensusi nuk ekziston në BE për shkak të pesë vendeve anëtare të cilat e kanë bllokuar procesin. Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Saša Milosavljeviæ, duke shprehur mbështetjen e tij për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, preku edhe temën për Veriun, duke kërkuar sqarime lidhur me Planin gjithëpërfshirës për veriun e Kosovës.
Gjatë mbledhjes së sotme anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe Raportin e parë për zbatimin e Planit të Veprimit, të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2012. Ndërsa, shqyrtuan dhe përkrahën këto projektligje, me amendamentet e komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së: Projektligjin nr.04/L-100 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-204 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Projektligjin nr.03/L-162 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligjin nr. 04/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-161 për Tatimin në të Ardhurat Personale, Projektligjin nr 04/L-99 për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 03/L-109, Projektligjin nr.04/L-062 për fshatin Hoçë e madhe, si dhe Projektligjin nr. 04/L-93 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jobankare.