Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 28.03.2012
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme miratoi amendamentet e Projektligjit për persona te verbër dhe pjesërisht të verbër.
Kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdaliu, në emër të grupit punues për amendamentimin e këtij Projektligji, njoftoi të pranishmit se amendamentet në tërësi janë harmonizuar edhe me komunitetin e të verbërve, ndërkaq, nga Ministria e Financave kanë marrë premtimin për implementimin e Ligjit nga janari i vitit të ardhshëm.
Gjatë shqyrtimit të amendamenteve, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shoqatës së të verbërve, të prirë nga kryetari i saj Bujar Kadriu, i cili e falënderoi Komisionin, për siç tha ai:" Punën e ndërgjegjshme dhe përkujdesjen e Komisionit ndaj komunitetit të të verbërve".
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për debat Parlamentar lidhur me marrëveshjen për përfaqësim rajonal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë kërkesë, e cila u tha se është e nënshkruar prej më se 13 mijë qytetarëve, Komisioni vlerësoi se nuk është në harmoni me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. Përkitazi me këtë, Komisioni po ashtu i rekomandoi Lëvizjes Vetëvendosje, që në harmoni me Rregulloren e Punës së Kuvendit, këtë çështje mund ta ngritë në debat parlamentar me nënshkrimin e gjashtë deputetëve.