Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
, 28.03.2012
Përmirësimi i kapaciteteve dhe cilësisë së punës në shëndetësinë e Kosovës, punësimi i kuadrove të reja në këtë sektor, udhëzimi administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për licencimin e punëtorëve të huaj shëndetësorë dhe ligjet në procedurë, ishin disa nga çështjet e diskutuara në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në të cilën ishte prezent edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Ministri Agani bëri një përshkrim të ecurisë së punës për hartimin e Projektligjit për shëndetësinë dhe atij për sigurimet shëndetësore, si dhe të hapave të mëtejshëm për marrjen e pëlqimit nga mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, para procedimit të tyre në Kuvend. Ai dha detaje rreth negociatave me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e të Bankës Botërore (BB) për këto projektligje dhe kërkesave të tyre që implementimi i këtyre ligjeve të bëhet në disa faza.
Ministri i Shëndetësisë tha se sektori publik shëndetësor ka nevojë për reformë, në mënyrë që të forcohet cilësia e punës dhe e shërbimeve, si dhe dilet nga gjendja ekzistuese. Ai foli për modelet e praktikuara në vendet e tjera, duke përmendur në këtë rast modelin e partneritetit publiko-privat.
Anëtarët e komisionit ngritën shqetësimet e tyre për një varg çështjesh dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit për problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht shëndetësia në Kosovë. Në këtë vështrim, u shtrua çështja e punësimeve, me ç'rast ministri Agani dha sqarimet e nevojshme. U kërkuan sqarime edhe për kriteret për punëtorët e huaj shëndetësorë që duan të punojnë në Kosovë, të përcaktuara në udhëzimin administrativ të MSH-së. Ministri Agani, ndërkaq, theksoi se nuk mund të ketë rritje të cilësisë pa pasur konkurrencë.