Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 11.04.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar rendin e ditës për seancën e së enjtes (më 12 prill 2012).

Pos pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, seancës i propozohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. Megjithëse qëndrimet për renditjen në seancë të këtij projektligji kanë qenë të ndryshme (përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë quajtur të domosdoshëm miratimin e tij para datës 14 prill, kurse e kanë kundërshtuar përfaqësuesit nga radhët e opozitës, derisa ai të mos ndryshohet, sipas asaj që është kërkuar në seancën e fundit), me shumicë votash është vendosur që projektligji në fjalë të radhitët për seancë plenare.

Duke qenë se kërkesa e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës, nuk ka gjetur mbështetje në takimin e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare (sepse nuk janë krijuar kushtet që i parasheh Rregullorja e Punës për një seancë të tillë), e vetmja mundësi ka mbetur që para miratimit të rendit të ditës së seancës së nesërme parashtruesi t'i kërkojë seancës që debatin për gjendjen në veri ta radhisë si çështje urgjente.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit